”Mirëditorët të vrasin natën, dhe të qajnë ditën”/Gazetarja pas sherrit me ministrin Lleshaj: Ndjesë, u keqkuptova
Gazetarja e kronikës, Klodiana Lala ka kërkuar falje për shprehjen e përdorur mbrëmjen e djeshme teksa përballej me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, ku u shpreh se ”mirëditorët të vrasin natën, dhe të qajnë ditën”.
Përmes një postimi në facebook, Lala u ka kërkuar falje të gjithë atyre që janë ndjerë të fyer nga shprehja që ajo ka përmendur, duke u justifikuar se kishte ndodhur për shkak të mbingarkesës së debatit. Ajo shtoi se reagimi i saj ishte fryt i një keqkuptimi të lindur gjatë retorikave me ministrin Lleshaj, duke kërkuar disa herë ndjesë.
”Ndjesë mirditorëve, që janë ndier të fyer nga përdorimi i pavend i një krahinarizmi, mbrëmë në emisionin Opinion në një bisedë me Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. E mbingarkuar nga debati, etiketova me një tipologji aspak të përshtatshme një krahinë të nderuar si Mirdita. Më lejoni t’ju kërkoj falje të gjithë mirditorëve të fyer nga ky komunikim publik aspak i denjë”,-shkruan Lala.
Postimi i plotë
Ndjesë të gjithë mirditoreve, që janë ndier të fyer nga përdorimi i pavend i një krahinarizmi, mbrëmë në emisionin Opinion në një bisedë me Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj. E mbingarkuar nga debati, etiketova me një tipologji aspak të përshtatshme një krahinë të nderuar si Mirdita.
Më lejoni t’ju kërkoj falje të gjithë mirditorëve të fyer nga ky komunikim publik aspak i denjë. Nëse do të kisha mundësi do t’i kërkoja ndjesë gjithësecilit. Ajo shprehje nuk përfaqëson Klodianën në formimin e saj si grua, si nënë, gazetare dhe qytetare. Kush më njeh më kupton.
Ai reagim i pavend ishte fryt i një keqkuptimi që lindi nga një shprehje e përdorur në bisedë e sipër nga Ministri i Brendshëm, i cili tha: “Moj grua që u takuam në fatin kobzi” (perifrazim nga Migjeni) ; shprehje te cilën e mbingarkuar nga tonet e ashpra të debatit, e dëgjova si “grua kobzezë”. Por në çdo rast nuk duhej të kundërpërgjigjesha ne ate menyre. Ndaj më lejoni edhe njëherë, përulësisht t’ju kërkoj ndjesë publike njerëzve që na ndoqën.
Megjithëse fyerja është e zakonshme në media, nuk është e zakonshme për mua. Përsa i përket pjesës tjetër të debatit, vazhdoj t’u përmbahem qëndrimeve të emisionit. Për faktet që percolla garantoj vërtetësi. Do vijoj të pëmbush me ndershmëri misionin tim. Me respekt maksimal, Klodiana LALA