Misioni arsimor i një familjeje nga Shqipëria në SHBA
Shkolla shqipe “Alba Life” e vlerësuar si Ambasador i Kombit nga Shteti Shqiptar, është një mundësi e shkëlqyer për mësimin e gjuhës shqipe, për fëmijët shqiptarë në New York. Shkolla e themeluar nga Qemal Zylo, ka si mision që të zhvillojë dhe ruajtjë identitetin kombëtar përmes mësimit të gjuhës, kulturës së origjinës si dhe njohja me trashëgiminë dhe thesarin kulturor, natyror dhe historik kombëtar. Programet e shkollës janë mbështetur në programet e përgatitura nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit të Kosovës. Themeluesi i kësaj shkolle, Qemal Zylo në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, shprehet se shkolla operon në disa lagje të Nju-Jorkut, është bërë një shkollë serioze dhe me një përkushtim tejet profesional.
”Që në vogëli jam rritur me dashurinë për shkollën dhe punën, filluar në Arrëz të Madhe të Tepelenës, një vend mjaft arsimdashës, ku ndihem mjaft krenar për bazat e para dhe të forta që mora nga mësuesit e mi të nderuar. Ato baza u reflektuan në të gjitha hapat që kam hedhur në Tiranë deri si shef i katedrës së Transportit në Akademinë e Forcave Tokësore në Tiranë, ku veç përgjegjësisë që kisha për të udhëhequr të gjithë pedagogët e katedrës, kam dhënë mësim si profesor i lëndëve inxhinierike që studioheshin në Akademi, në të cilën punuam për përmirësimin e programeve të Akademisë në përputhje me programet e akademive të tjera ushtarake botërore”.
Programi i mësimit udhëhiqet nga dr. Valbona Zylo Watkins, profesore në Universitet dhe i shërben profesionalisht mësimit të Gjuhës Shqipe. ”Shkolla në Staten Island u bë vatra e hapjes së disa shkollave të tjera në qytete të ndryshme të Nju Jorkut si në Brooklyn, Manhattan, Queens dhe së shpejti do të jemi me një shkolle të re në Bronx në bashkëpunim të ngushtë me patriotët Arta Xhaferri dhe Blerim Gjocaj. Shkolla shqipe “Alba Life” festoi madhërisht në “Symphony Space” 10-Vjetorin e themelimit të saj, ku gjithë bashkatdhetarët u mblodhën si një buqetë me lule së bashku me artistë të mirënjohur nga të gjitha trojet ku flitet shqip. Në këtë 10-vjetor nderoi nga Shqipëria me pjesëmarrjen e tij artisti i shquar i humorit, Agron Llakaj”.
Në lidhje me integrimin e nxënësve në këto shkolla, Zylo shprehet se: ”Në këto shkolla veç mësimit të gjuhës shqipe, nxënësit mësojnë për historinë, kulturën e traditat shqiptare. Ndonëse shumë prej tyre vijnë të ndrojtur në ditët e para të shkollës, apo dikush dhe duke qarë, shpejt ata miqësohen me njëri-tjetrin dhe mezi presin që të vijë dita e mësimit shqip. Bota e fëmijëve është e mrekullueshme, është botë që ringjall shpresat, është botë që e çon Kombin veç në progres”.
Zylo thekson gjithashtu se këto vite është rritur vazhdimisht numri i nxënësve, kjo sipas tij, vjen falë besimit që kanë krijuar prindërit për mësimdhënësit dhe seriozitetin e punës së tyre. ”Frekuentimi ka variuar nga 70 deri 110 nxënës, por sigurisht frekuentimi lidhet edhe me vështirësitë që kanë prindërit, pasi shumë prej tyre punojnë me orar të zgjatur ose nuk kombinon. Ka dhe prindër që mendojnë se duke mësuar shqipen do të konfuzohen me anglishten dhe për këtë stepen për t’i sjellë”.
KOHA JONË SONDAZH

