Mister vrasja e 19-vjeçarit, ekzekutimet në Shkodër po ndodhin në lokale
Pse u vra 19-vjeçari Erjon Xhenja teksa ishte duke pirë kafe, ende Policia e Shtetit nuk ka një përgjigje. I riu u ekzekutua në një lokal pasditen e së dielës. Pistë mbetet bandat e qytetit.
Të martën drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka kërkuar administrimin e të gjitha provave që disponon policia, ku sektori i kriminalistikës pranë Drejtorisë së Përgjithshme është vënë në dispozicion të grupit hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarje që ka tronditur Shkodrën. Viktima edhe pse i vogël ishte në rrethin shoqëror të një grupi kriminale, ndërsa mendohet se 19-vjeçari mund të ketë qenë përfshirë në vrasjen e Ismet Çekores.
Prej kohësh Shkodra është nën terrorin dhe pushtetin e krimit dhe të bandave, që sipas opozitës, kjo me mbështetje qeveritare. “Kryeqendra e Veriut, ndodhet nën pushtetin e krimit për shkak të mbështetjes së hapur të Qeverisë për bandat më të rrezikshme lokale, të mbrojtura dhe të vëna në shërbim të saj”, akuzon Partia e Lirisë.
Në këto 9 muaj, në Shkodër janë shënuar edhe 5 vrasje nga bandat dhe shumica e krimeve ndodhin në lokale. Më 2 shtator, u ekzekutua 57-vjeçari Ismet Çekorja. Më 15 qershor, mbeti i vrarë 76-vjeçari Lulash Qepuri, pronar i një lokali. Një tjetër vrasje, ishte ajo e Naim Bajrit, ndodhur më 3 qershor. Bajri po konsumonte kafen e mëngjesit. Më 12 prill, 55-vjeçari Nazim Bandula u vra në lagjen “Partizani” të Shkodrës. Më 13 shkurt, 47-vjeçari Prek Tonaj u qëllua për vdekje nga një person i maskuar në ambientet e një lokali.