Misteri i nëndetëses me 14 tonë kokainë: Garancia qeveritare dhe çfarë thotë Antimafia italiane
Një nga lajmet më shqetësuese që prodhoi natën e djeshme pas transmetimit dokumentari i RAI 3, “Narcotika”, i cili kishte në fokus trafikantët dhe mafien shqiptare, ishte ai që fliste për një ngarkesë “të tmerrshme” kokaine e cila ishte planifikuar të zbarkonte në Porto Palermo me nëndetëse të nisur nga Venezuela.
Në pjesën e tretë të këtij dokumentari që po bënë shumë bujë jo vetëm në Itali dhe Shqipëri, pasi evidentohet me fakte se Shqipëria e Edi Ramës është shndërruar në një qendër të trafikut ndërkombëtarë të drogës, por edhe në kultivuese të madhe të kanabisit, flitet edhe për një operacion të madh kokaine nga Amerika Latine drejt Europës nëpërmjet Shqipërisë.
Këtë fakt të parecedentë e zbuloi për emisionin, Francesco Mandoi, prokuror i Antimafias i cili ndodhet aktualisht në Shqipëri.
“Me hetimin tonë ne bëmë të mundur që të shkatërronim një organizatë që kishte bërë një plan të detajuar që të vinte në funksion bazën e nëndetëseve në Porto Palermo për të sjell kokainën në Shqipëri me nëndetëse, duke e marrë në Amerikën Latine”, ka zbuluar ai.
Edhe pse nuk jepen detaje, bëhet fjalë për plot 14 tonë kokainë të pastër, e cila ishte ngarkuar në Venezuelë dhe do të zbarkohej me nëndetëse në brigjet shqiptare për tu rishpërndarë sërish në gjithë Europën. Pavarësisht se ngarkesa u kap që në burim pas një hetimi të gjatë të Antimafies italiane, DEA amerikane dhe agjencive të tjera ndërkombëtare, ky zbulim i emisionit “Narcotika” vërteton atë çfarë u shkrua në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit për drogat, ku Shqipëria cilësohej si një bazë nga më të rëndësishmet operacionale të krimit të organizuar global për drogat e rënda, me burim Amerikën Latine, atë të Veriut, por edhe Azinë për heroinën.
Pikëpyetje ngelet se kush është ai klan i krimit të organizuar shqiptarë, që ka guxuar që të marrë përsipër të presë nëndetësen në brigjet e Vlorës me një ngarkesë që shkon shumë qindra milion euro mall. Një operacion ndërkombëtarë trafiku i këtyre përmasave, i mbështetur në një infrastrukturë transporti “ushtarake” siç janë nëndetëset në investim gjigant fillestarë financiarë, nuk mund të kryhet kurrë pa garanci nga autoritet e vendit pritës. Dhe në një rast si ky trafik i cili tejkalon buxhetin e ministrisë së Brendshme dhe të asaj të Mbrojtjes shqiptare të marra së bashku, nuk bëhet fjalë thjesht për garanci të policisë lokale. Vetëm me garanci dhe me urdhër “nga lart” mund të merren përsipër këto lloj operacione të trafikut të drogës, pasi asgjë nuk mund ti lihet në dorë policisë lokale, sa do e lidhur dhe e korruptuar qoftë ajo nga krimi. Shifra financiare që vihet në lojë me 14 ton kokainë të pastër, kurrë nuk mund ti lihet rastësisë dhe aq më pak autoriteteve lokale të Vlorës.
Po a ka pasur ky klan ndërkombëtar i trafikut të kokainës, garanci nga segmente të qeverisë Shqiptare për të sjellë nëndetëse “fshehurazi” në brigjet shqiptare me një sasi kaq të frikshme kokaine?!
Përgjigjen mund ta marrim pak a shumë nga prokurori tjetër i Antimafies Italiane Nicola Gratteri i cili po ashtu ka folur te “Narcotika” për këtë çështje.
“Në Shqipëri ata janë të paprekshëm. Bëhen të pasur, bëjnë krime. Mafia në Shqipëri ka mbështetje dhe mbrojtje nga të gjitha nivelet e qeverisë nga ata më të ulëta e deri më të larta”,ka deklaruar prokurori i Antimafies për ‘Narcotica’ në Rai 3.
Por Gatteru nuk ndalet vetëm në këtë deklaratë tronditëse. Ai shton se përveçse mafia shqiptare tani është shumë e fortë edhe në Itali, në Shqipëri tashmë ajo është bërë njësh me shtetin!