Mjegull në bypassin e Murrizit, vështirësohet lëvizja e automjeteve në drejtim të Dibrës dhe Tiranës
Në bypassin e Murrizit pjesë e rrugës së Arbrit nuk ka probleme sa i përket ngricave apo pranisë së dëborës.
Ndonëse ky segment u përfshi nga reshjet e borës një natë më parë, situata është ndryshe këtë të shtunë pasi nuk ka prani të borës në rrugë.
Por problem për drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në drejtim të Tiranës apo Qarkut Dibër është bërë prania e mjegullës.
Gjatë gjithë paradites së sotme mjegulla ka qenë e dendur duke kufizuar ndjeshëm fushëpamjen e drejtuesve të automjeteve. Për shkak të terrenit malor, qarkullimi është bërë me shumë vështirësi.
Fatmirësisht nga prania e mjegullës nuk ka pasur aksidente në rrugë ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të lëvizin me shpejtësi të reduktuar si dhe të përdorin dritat e mjegullës për të shmangur aksidente të mundshme.