Mjekët e familjes po ndjekin mbi 1 mijë të prekur me Covid-19, Manastirliu: Protokolle të përcaktuara për ndjekjen e pacientëve
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka inspektuar qendrën shëndetësore nr.10 në kryeqytet, ku deklaroi se mjekët e familjes po ndjekin pacientët e prekur me Covid19, por që ndodhen në shtëpi me simptoma të lehta, sipas protokolleve të përcaktuara.
”Janë më shumë se 1600 mjekë të angazhuar në gjithë territorin e Shqipërisë. Në Tiranë, ku është dhe numri më i madh i të prekurve aktivë, mjekët e familjes po luajnë një rol kyç, për ndjekjen e ecurisë në rastet e pacientëve të prekur nga Covid-19, të cilët janë duke u trajtuar në banesë. Më shumë se 1 mijë pacientë, janë duke u trajtuar dhe duke u ndjekur nga mjeku i familjes”.
Ministrja tha se ndjekja e pacientëve po kryhet sipas protokolleve të përcaktuara. Nga ana tjetër, theksoi se mjeku i familjes e ka në kohe reale informacionin për çdo qytetar të zonës së tij të mbulimit, që është i prekur nga Covid–19. ”Çfarë është e rëndësishme është që sot realizojmë në mënyrë elektronike kartelizimin elektronik të pacientëve, të cilët janë të dyshuar, kanë shenja, kanë simptoma të Covid-19, apo janë raste të konfirmuara me Covid19 dhe terapitë e tyre të mjekimit”.
Gjatë vizitës saj në qendrën shëndetësore nr.10, ku rreth 30 pacientë të konfirmuar me Covid-19 po ndiqen nga mjekët e familjes, Manastirliu tha se duhet të vijojë komunikimi dhe informimi me qytetarët për ndjekjen e çdo rasti që konfirmohet me virusin e rrezikshëm. ”Numri 0800 400 400 është një linjë e gjelbër, e dedikuar për të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë për informacion, që kanë nevojë të dinë kush është mjeku i familjes, që kanë nevojë të kontaktojnë direkt me mjekun e familjes për t’i lehtësuar komunikimin me mjekun dhe sigurisht për të bërë të mundur më pas ndjekjen e tyre kur janë të prekur nga Covid-19”.