Mjekët shqiptarë: Engjëj apo djaj?

 Dr. Bledar Kurti/Rasti tragjik i humbjes së jetës së 35 vjeçares dhe foshnjës së saj të palindur ka shkaktuar një indinjatë të madhe shoqërore si edhe ka habur debate të gjera në media, rrjetet sociale, madje edhe në bisedat e përditshme të qytetarëve. Një pjesë e shoqërisë, bazuar mbi eksperienca të këqija, traumatizuese dhe të tmerrshme, me mjekë dhe shërbimet mjekësore në tërësi komentojnë plot vrer ndaj rasteve të caktuara të cilat gjithësecili ka përjetuar për veten apo familjarët e tij, duke i konsideruar disa prej bluzave të bardha si djaj e kusarë.

Pjesa tjetër, po e bazuar mbi eksperiencat personale, kujton rastet e shërimit, mbështetjes mjekësore, dhe humanizmin e një mjeku apo infermiereje, duke vlerësuar figurën e bluzave të bardha si engjëj dhe heronj të shoqërisë.

Përpara se të vazhdoj më poshtë, për ti dhënë më shumë besueshmëri penës sime dhe opinionit tim të paanshëm në këtë çështje, sqaroj që ka patur mjekë shqiptarë të cilët me aftësi apo paaftësi, profesionalizëm apo neglizhencë, kopetencë apo jo kopetencë, ndjekje apo jo të protokollit mjekësor, nën kujdesin e tyre unë kam humbur jetën e dy të dashurve të mi. Sikurse, kam përjetuar eksperienca, si çdo shqiptar tjetër, ku pa para më është refuzuar shërbimi mjekësor, kam shpenzuar ditë e orë të gjata pritje për një vizitë, kam blerë medikamente tek farmacitë e rekomanduara nga mjeku, jam vërdallosur nga shtetërori tek privati apo nga njëri spital në tjetrin, dhe kam telefonuar disa herë ambulancën e cila ose ka ardhur me vonesë ose nuk ka ardhur aspak. Por, gjithashtu, një mjek më ka shpëtuar jetën, dhe shumë të tjerë më kanë impresionuar me profesionalizmin dhe mënyrën e jashtëzakonshme të tyre të komunikimit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Unë jam doktor shkencash dhe jo mjekësor ndaj nuk jam besnik për arsye të profesionit të mjekut, por kam patur privilegjin të punoj në këtë sektor si brenda ashtu edhe jashtë vendit, dhe të jem i rrethuar me dhjetra miq të shkëlqyer të cilët e ushtrojnë këtë profesion.

Swiss Digital Mobile Reklama

Engjëjt

Në vitin 2013 lexova një koment nga Vangjel Tavo, Ministri i Shëndetësisë i asaj kohe, i cili shprehej: “Mjekët tanë, janë heronjtë e heshtur të këtij vendi, pasi nuk ka television që transmeton gëzimin e një familje të thjeshtë kur i shërohet prindi, nuk ka gazeta që shkruajnë për lumturinë e një nëne kur mban në duar foshnjën e porsalindur, dhe shumë raste të tilla profesionalizmi, dhe ndoshta edhe mrekullishë, që vijnë në sajë të punës së shkëlqyer të një stafi mjekësor të shkëlqyer.”

Heronjtë e heshtur! A janë vërtetë të tillë bluzat e bardha? Absolutisht që po. Pavarësisht kushteve mizerabël që ka infrastruktura mjekësore, mungesës së pajisjeve mjekësore, medikamenteve (madje edhe atyre bazë) rrumpallizimit të sistemit të referencës, burokratëve të ministrisë, dhe mbi të gjitha pagës së ulët, bluzat e bardha e meritojnë të quhen “Heronj të heshtur.”

Ka një arsye që disa profesione kanë uniformë. Ushtria, policia, mësuesit, gjykatësit, dhe mjekët mbajnë uniformë. Jo për higjenë por për simbol. Uniforma është një simbol religjoz, i cili dikton një status të caktuar në shoqëri, një kujtesë për ata që e veshin dhe ata që e shohin. Ata që e veshin kanë përgjegjësinë profesionale, ata që e shohin duhet të tregojnë respekt dhe vlerësim. Por në këtë vendin tonë të dashur por të përdalë në aspektin e renditjes shoqërore, janë pikërisht profesionet me uniformë ato që kanë pagat më të ulëta dhe janë vazhdimisht nën tejqyrën e politikës dhe kritikave të opinionit publik. A ka ushtarakë, policë, mësues, gjykatës dhe mjekë që e kanë përdhosur uniformën? Absolutisht që po. Ferri vetë është zbrazur dhe djajtë kanë zbritur këtu tek ne, por unë po përmend një koncept, një fenomen shqetësues dhe të padrejtë, pasi nuk mund të kemi një rend shoqëror ku një drejtor politik, pesanjos apo i pashkollë i një ministrie të paguhet më shumë se sa një mjek? Statusi matet me vlerësimin e pagës dhe privilegjeve shoqërore, ndaj në një vend ku mjekët e ndershëm janë në pragun e mbijetesës, duke mos qenë në gjendje për të blerë një statoskop apo libër mjekësie (të cilët kushtojnë me qindra dollarë), që kanë shitur integritetin për të siguruar të ardhura nga pozicione part-time tek privati, ky fenomen është vërtetë shqetësues dhe shemb themelet e një rendi shoqëror mijëra vjeçar. Një kamarier në një lokal të Tiranës fiton më shumë se sa një mjek. Ky vlerësim dhe krahasim shoqëror është i padrejtë.

A është paga e rëndësishme? Cilido që mendon se jo është një ëndërrimtar naiv, pasi dashuria për profesionin dhe vlerësimi shoqëror dhe institucional janë dy koncepte që lidhen me njëra tjetrën. Gjithësesi, kushtet e mbijetesës që ofron ky vend, ose më saktë, mungesa e politikave të mirëfillta efikase qeverisëse, korrupsioni masiv institucional i dy dekadave i kanë bërë krimin më makabër kësaj shoqërie. Ky krim është tundimi. Ky sistem i mbrapshtë politik e si rrjellojë shoqëror tundon profesionet më dinjitoze të bien në mëkatin e mitmarrjes dhe abuzimit me detyrën. Për shkak të pagave të ulëta dhe për të ushqyer familjen mjekët, infermieret, sanitaret e spiatele, por edhe profesione të tjera me uniformë janë vënë përpara zgjedhjes ose jeto për mbijetesë ose pranoje dy mijë lekëshin (apo më shumë) që të ofron pacienti. Një kusht i tillë tundimi është e pafalshme për një shtet e shoqëri. Duke i shtuar këtij fenomeni edhe blerjen e vendeve të punës me tre apo pesë mijë euro, cilado bluzë, ajo e mjekut, infermierit, mësuesit, etj, vihet përballë një realiteti ku integriteti njerëzor dhe profesional nuk ka vend.

Shqiptarët kanë nisur masivisht të gjejnë mundësi largimi nga ky vend, dhe kategoria më e madhe e tyre i përkasin bluzave të bardha, pasi në këtë vend me rroga të ulëta dhe kushte afrikane ushtrimi me profesionalizëm i profesionit të tyre është shumë i vështirë.

Djajtë

Djajtë gjenden në çdo sektor por më të pështirët prej tyre gjenden në mjekësi pasi këtu në momentet më të dobëta dhe pa shpresë të një njeriu apo familje ata të zhvasin edhe xhepat. Këta nuk janë ata që luftojnë për mbijetesë. Këta janë ata që kanë lindur dhe do vdesin varrmihës së shpresës dhe kusarë të njerëzve në nevojë.

Këtu hyjnë shumë e shumë lloje, me stile të ndryshme e me performancë të ndryshme. Këtu hyjnë ata që e kanë bllokuar sistemin e meritokracisë, të cilët kanë uzurpuar spitale, pavione, borde, etj, duke kanalizuar klientelën në klinika private, duke penguar mjekët e rinj të rriten në përgjegjësi apo profesion, duke mos i mësuar siç duhet specializantët nga frika se mos i vjedhin zanatin dhe i zënë vendin e punës, apo duke u strukur në kthinat më të errëta të sistemit, pa asnjë gjuhë të huaj dhe literaturë bashkëkohore e cila është e domosdoshme në dinamikën e vazhdueshme që ka mjekësia.

Sado që e fshehin fytyrën e tyre, të gjithë shqiptarët i njohin këta djaj. Turp të keni ju që nuk i shërbeni me dinjitet qytetarit por e diskriminoni mbi bazë racore, krahinore, sociale, etj. Që e zhvasni për të ushqyer djallëzinë tuaj të cilën e keni në gen. Që e keni shkelni çdo ditë betimin e Hipokratit të cilin e bëtë solemnisht.

Duke qenë i sigurtë që e keni harruar po jua kujtoj edhe një herë:

“Në çastin kur po hy në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Ndaj mësuesve do ta ruaj mirënjohjen dhe respektin e duhur. Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe. Do t’i respektoj e do t’i ruaj fshehtësitë e atij që do të më rrëfehet. Do ta ruaj me të gjitha forcat e mia nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë. Kolegët e mi do t’i konsideroj si vëllezër të mi. Në ushtrimin e profesionit ndaj të sëmurit tek unë nuk do të ndikojë përkatësia e besimit, e nacionalitetit, e racës, e politikës, apo përkatësia klasore. Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë apsolute. As në kushtet e kërcënimit nuk do të lejoj të keqpërdoren njohuritë e mia mjekësore që do të ishin në kundërshtim me ligjet e humanitetit. Këtë premtim po e jap në mënyrë solemne e të lirë, duke u mbështetur në nderin tim personal.”

Ne dhe ju

Engjëjt dhe djajtë bashkëjetojnë që nga fillimi i kohërave. Ajo çfarë i ndan në jetën tonë të përditshme është një set rregullash morale të cilat ne i quajmë ligje. Këto ligje ndërtojnë një sistem të drejtë dhe të qendrueshëm ku individi nuk tundohet të zgjedhë të bëhet engjëll apo djall por ndalon abuzimin dhe nxit profesionalizmin. Sistemi shëndetësor, por edhe në të gjitha sektorët e tjerë, duhet të jetë i atillë që të garantojë integritetin e profesionit të mjekut, kushtet e duhura të punës, vlerësimin qeveritar dhe social, dhe të privojë abuzimet por të promovojë shkencën e mirëfilltë mjekësore, pasi sot mjekët nuk merren më me shkencë por për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për familjen.

Për ata që nuk e dijnë, më lejoni t’ju informoj me të vërtetën universale që errësira është vetëm një fjalë por që nuk ekziston. Universi nuk ka errësirë por vetëm mungesë drite. Atje ku drita nuk depërton ne e quajmë errësirë. Gjithashtu as vdekja nuk ekziston por vetëm mungesa e jetës. Ndaj, ju engjëjt e mjekësisë, dhe cilido lexues që punon në një profesion me uniformë apo me impakt në shoqëri, vazhdoni të jeni shembull profesionalizmi dhe humanizmi dh shndrisni më shumë në punën tuaj që ky vend të ketë më pak errësirë, dhe sillni më shumë jetë që ky vend të ketë më pak vdekje. Ku ka dritë dhe jetë ka më pak djaj, mos u dorëzoni se fatkeqësisht, ky vend ka shumë e shumë të tillë!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?