Mjekët: Të plagosurat e zjarrit në Krujë, 8 në gjendje të rëndë
11 të plagosurat nga djegia e autobusit me 31 pasagjerë në Krujë, ndodhen aktualisht në repartin e Djegies në QSUT, ku 8 prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Kjo u pohua nga mjekët e spitalit që folën për mediat duke bërë një rezyme të gjendjes. Sipas tyre, të gjithë të plagosurit janë gra, tetë prej të cilave me djegie mbi 50 përqind të trupit.
Nga këto tetë, tre, që janë edhe të moshuara në moshë, janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa pjesa tjetër është më e qëndrueshme.
Mjekët thonë gjithashtu se njëra prej pacienteve do të transferohet në repartin e toksikologjisë pasi nuk ka djegie të mëdha në trup, porse ka thithur shumë tym.
Ekipi mjekësor shtoi se shërbimi është i kompletuar, qoftë në pajisje, ashtu edhe në medikamente dhe se nuk ka nevojë që të shoqërohet jashtë asnjë prej pacientëve.
Në spital, të plagosurat i vizitoi edhe Kryeministri Edi Rama, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, ndërsa Lulzim Basha shprehu ngushëllimet për viktimën dhe uroi shërim të shpejtë për të lënduarat përmes një postimi në rrjetet sociale.
KOHA JONË SONDAZH

