Mjekimi i shqiptarëve me Covid në Janinë, Fico: E pamundur të ndodhë

Pas arrijes së 7.020 dozave vaksinash nga kompania BioTech-Pfizer në Shqipëri në procesin e vaksinimit janë përfshirë Tirana, Vlora dhe Shkodra si pika kyçe dhe ndërkohë vaksinime po kryhen edhe në Fier , Elbasan dhe Gjirokastër, thotë në një intervistë për DW drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico. Sipas saj vaksinimi po kryehet pa probleme.

Në “Planin Kombëtar të Vaksinimit anti Covid-19” janë përcaktuar qartë grupet prioritare të popullsisë që do të marrin së pari vaksinën. Sipas tij ka filluar vaksinimi i personelit të vijës së parë të luftës kundër virusit covid-19, pra ata në spitalet anti covid, personeli i urgjencave, i reparteve të reanimacionit në spitalet e anti covis. Në të njëjtën kohë me vaksinimin e këtyre grupeve po bëhet edhe vaksinimi i personave që ndodhen në qendrat rezidenciale të të moshuarve.

Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të drejtëpërdrejtë me BioNTech-Pfizer dhe pret që të vijnë 500 mijë doza. “Ndërkohë kemi nënshkruar edhe një marrveshje me COVAX për një milion e njëqind e katërmbëdhjetë mijë doza vaksinash, që janë parapaguar me një fond prej 3,9 milion dollarë. Po punohet në mënyrë intensive për të siguruar edhe marrëveshje të tjera të drejtëpërdrejta me prodhues të vaksinave anti Covid-19, që kanë kaluar filtrin e rregullatorëve striktë si Food and Drug Administration ,( FDA) apo European Medicine Agency, (EMA)” – thotë prof. Albana Fico.

Dyshime për arritjen e mutacioneve të virusit Covid-19 në Shqipëri

Bazuar ne testimet që kryhen në laboratorin e Virologjisë të Institutit të Shëndetit Publik ka dyshime të arësyeshme se në Shqipëri qarkullojnë ndërkohë shtamet mutante të virusit Covid-19 që njihen si virusi britanik apo afrikano jugor. Drejtorja e këtij institucioni thtë se “kemi seleksionuar dhe dërguar mostra në laboratorë reference jashtë vendit dhe jemi në pritje të rezultateve.”

Manipulim testesh?

Pyetjen e DW nëse ka gjasa ka që rezultati i testeve që bëhen në Shqipëri për të ditur nëse je i infektuar ose jo me virusin Covid-19 mund të manipulohen, sikurse pretendohet në një lajm të botuar ditët e fundit në mediat greke, Albana Fico e kundërshton.

Sipas mediave greke shqiptarë të infektuar me virusin kalojnë kufirin me teste që janë negative dhe pasi hyjnë në tokën greke dalin pozitivë dhe kurohen së shumti në spitalet e Janinës. Albana Fico u kundërvihet lajmeve të tilla: “Absolutisht që nuk ka gjasa që kjo të ndodhë. Le të mos ngatërrojmë faktin që kryerja e testit për të zbuluar infektimin ose jo me virusin Covid-19 dhe marrja e rezultatit janë të lidhura ngushtë me kohën dhe ngarkesën virale në momentin e kryerjes së testit.”/DW

SHKARKO APP