Mjeku Gjata tregon fazat e Covid-19: Ja mjekimi që duhet të marrin të gjithë pacientët
Profesori i mjekësisë, Arben Gjata, në një intervistë dhënë për gazetaren Nisida Tufa në emisionin “Kjo javë” në “News 24”, deklaroi se antibiotikët në fillim të sëmundjes së Covid-19 nuk bëjnë efekt.
Ai tha se marrja e vitaminave të tilla si C, D, E dhe zinku rrisin imunitetin e trupit. “Mund të përdorim antibiotik kot. Antibiotikët nuk bëjnë efekt. Antibiotikët nuk nisin që në ditën e parë, por varet edhe nga situata e pacientit. Fatkeqësisht nuk ka formulë magjike, por është e nevojshme që të flitet me mjekun e familjes. Vitamina D, C, E, zinku mund t’i marrësh në fillim të sëmundjes, sepse të ndihmon për rritje të imunitetin e organizmit. Duhet të merren gjatë gjithë periudhës që jemi. Ne kemi trajtuar shumë mirë mjekët e familjes”, tha Gjata
Arben Gjata theksoi se spitalet në vendin tonë kanë akoma vend për pacientë. “Ndodh në shumë vende të botës që presin klientët. Pse? Në momentin që vjen ambulanca, të sëmurët kalojnë në urgjencë. Ka shumë pacientë që nuk kanë marrë tampon ose nuk kanë bërë skaner. Pastaj, varet nga sëmundja që ka pacienti. Kjo do të thotë se mendohet disi për akomodimin edhe të pacientit të fundit. Ka vende akoma për pacientë. Në spital nuk blen njeri antiviral. Ajo që ndodh me kontrabandë është tjetër gjë. Infektivi ka kaq infermier, aq sa duhet norma.
Në sëmundjet e brendshme, për shembull ka 10-15 pacientë. Në kirurgji një infermier nuk ndjek dot më shumë se 10 pacientë, varet gjithçka. Ka pasur infermier madje mbi normë, për shkak të përgatitjes për hapjen e spitaleve të reja. Duhet t’i themi njerëzve se në spital shërohesh e jo se vdes”, u shpreh Gjata.
Më tej, Gjata theksoi se duhet domosdoshmërisht të mbajmë maska dhe të shmangim vendet ku ka grumbullime të njerëzve.
“Në këtë periudhë duhet të mbajmë maska. Unë vetë mbaj maskë tek Kirurgjia. Kemi pasur mjek dhe infermierë të infektuar, por jo përmasa komuninare. Duhen shmangur edhe vendet ku rrinë shumë njerëz”, deklaroi mjeku Gjata.
Arben Gjata, Rektor i Universitetit të Mjekësisë, foli për simptomat e koronavirusit dhe kujdesin që duhet të tregojnë pacientët, që ku jepen shenjat e para. Mjeku theksoi në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, se të gjithë qytetarët duhet ta trajtojnë veten si me Covid, që në momentin që bëjnë tamponin, edhe pse përgjigjja mund të vonohet.
“Ka nevojë që qytetarët të bëjnë tamponë. Është e domosdoshme që ata të paraqiten te mjeku i familjes dhe nga momenti që bëjnë tamponin duhet ta konsiderojnë veten me Covid, pavarësisht se kur e marrin përgjigjen. Tamponi ka një besueshmëri 70%, por nuk do të thotë që ata nuk kanë Covid. Janë shenjat klinike që e tregojnë dhe mjeku i familjes iu jep mjekimin e Covidit”, u shpreh Gjata.
Më tej, Arben Gjata foli dhe për mjekët e familjes, për të cilët tha se duhet të bëjnë shumë kujdes që të mos abuzojnë me mjekimet që iu japin pacientëve. “Mjeku i familjes e ka të qartë se si trajtohet pacienti me Covid. Nëse është faza e parë ose e lehtë e Covidit, pacientët konsiderohen si pacientë Covid dhe trajtohen me ilaçe që ulin temperaturën, lëngje dhe vitamina, pa pasur nevojë të përdorin antibiotikë. Nëse kanë disa ditë temperaturë dhe kanë shenja pulmonare është momenti kur mund të fillohen antibiotikët. Nëse ka vështirësi në frymëmarrje dhe ulje të oksigjenit është momenti që mund të fillohen dhe kortizenikët. Mjekët duhet të kenë shumë kujdes të mos abuzojnë, por ndonjëherë edhe familjarët vetë, që shkojnë direkt në farmaci e marrin ilaçe”, theksoi ai.
Për mjekun Gjata problemi kryesor dhe më shqetësues i këtij virusi është prekja e mushkërisë, që sipas tij, jep dëmtime serioze.
“Mund të ketë njerëz me 37 e gjysmë dhe të kenë probleme me frymëmarrjen, por mund të jenë dhe me 39 e të mos kenë probleme. Problemi kryesor është prekja e mushkërisë nga Covidi, që të jep dëmtime. I sëmuri duhet të bëjë analizat që ditën e parë, që përcaktojnë si është gjendja. Analizat duhen bërë cdo 3-4 ditë dhe mjekimi ndryshon në varësi të ekzaminimeve”, deklaroi mjeku.