Mjeku i “Shefqet Ndroqit” tregon si e luftuan COVID: Pacientët vuajtën shumë

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, publikon video-mesazhin e mjekut të “Shefqet Ndroqit”, Perlat Kapisyzi, i cili luftoi në vijën e parë të betejës kundër koronavirusit.

“Ia dolëm me guxim, vetëmohim dhe dhembshuri” – Prof. Perlat Kapisyzi flet për përballimin e situatës së #COVID19 në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” nga personeli shëndetësor. Mirënjohje për sakrificën e mjekëve, infermierëve dhe të gjithë stafit mjekësor në përballimin e kësaj situate të vështirë?? #BASHKË”, shkruan Manastirliu.

Mesazhi i mjekut:

Do desha ta filloj me disa veti që personeli shëndetësor jo vetëm i “Shefqet Ndroqit”, por i gjithë republikës: qëndrueshmëri, guxim, vetëmohim dhe dhembshuri. Kanë qenë këto virtyte, me të cilët ne luftuam, përballuam këtë situatë. Janë këto virtyte, me të cilët ne realizuam jo vetëm kujdesin për pacientin, për kolegun, por edhe kujdesin për familjarët. Ne në këtë rast kontribuam në atë që u bë kryefjala e ditës: sheshimi i kurbës, por kontribuam edhe për të sheshuar çdo të pavërtetë për vlerat morale të personelit shëndetësor.

Të shpresojmë që është një sheshim i plotë. Është e vërtetë që komuniteti duartrokiti për ne, por kur pandemia të marrë fund edhe ne do duartrokasim për ata pacientë, që realisht kanë vuajtur, por edhe na kanë besuar, por edhe për komunitetin, që na duartrokiti, na dha kurajo, na mbështeti dhe shpresojmë që të na duartrokasë edhe pas COVID, sepse ne jemi ato që kemi qenë, këto virtyte nuk u bënë për dy muaj. Ky është personeli shëndetësor”,

SHKARKO APP