Mjeku infeksionist: Nëse ndërhyjmë fuqishëm në këtë stad, shmangim kurbën e tmerrshme të dyfishimit të rasteve të reja në një ditë

Mjeku infeksionist Arjan Harxhi ka folur në një lidhje me Skype sot për emisionin “Zonë e Lirë”, ku ka treguar më shumë mbi situatën e pacientëve me koronavirus tek spitali Infektiv në QSUT.

“Mbas sa ditësh duhet ta kuptojmë nëse jemi të infektuar, kur shfaqen shenjat?”, e ka pyetur Çani mjekun.

“Sipas të dhënave qoftë nga Kina, qoftë nga Italia, mesatarja është 5-7 ditë për shfaqjen e simptomave. Në 2% të rasteve mund të shkojë deri në 20 ditë”, tha Harxhi.

“Ka tre raste serioze tek Infektivi, mund të shpëtojnë por nuk e themi dot 100% me siguri këtë gjë. Atë që na ka mësuar historia e tre muajve, është se nëse ndërhyjmë fuqishëm në këtë stad, shmangim kurbën e tmerrshme të dyfishimit të rasteve të reja në një ditë. Nëse ne e shmangim këtë lloj skenari, ia kemi arritur asaj për të cilën po sakrifikojmë të gjithë bashkë për ta kufizuar këtë lloj transmetimi. 4-5 raste në ditë nuk është shumë. Për ne si profesionistë patjetër që kjo javë që vjen do jetë ngarkesë më e madhe”, tha mjeku Harxhi.

“Pse do iki korona, ajo pret doktor, është diku, çfarë do na shpëtojë?”, e ka pyetur Çani mjekun Harxhi.

“Përgjigjia ime është kjo që ne do i kemi gjithmonë mikrobet, qoftë baktere, qoftë viruse, të pranishme, e kemi thënë, ky është një virus i ri që shumicën e popullatës e ka të ndjeshme. Ne nuk po themi që ne do e zhdukim koronën, mund të ndodhi edhe skenari që me SARS, erdhi maji dhe iku SARS. Mund të ndodhi që të vijë vera dhe ky virus të sillet ndryshe dhe të iki tek bota e kafshëve. E rëndësishme është të fitojmë kohë. Ka një kundërpërgjigje globale nga shkenca e mjekësisë për të krijuar mekanizma nëpërmjet vaksinës. T’i japim kohë shkencës së mjekësisë të krijojë mekanizmat. Njerëzimi duhet të mësojë dhe falë avancimit të teknologjisë të shkencës mjekësore, të jetë në gjendje të dali fitimtar. Mesazhi është që njerëzimi duhet të jetë i kujdesshëm që të ruajë veten nga këto pjesëza të vogla të padukshme që gjithmonë e kërcënojnë botën njerëzore”, tha mjeku.

SHKARKO APP