Mjeku Mezini: Agresiviteti i virusit ka rënë por tani duhet të…

Rritja e rasteve të reja me Covid-19 në tre ditët e fundit në Shqipëri ka shqetësuar jo pak qytetarët. Mjeku pneumolog, Arjan Mezini, thotë se ajo që e shqetëson më tepër lidhet me faktin e infektimit të personelit mjekësor në QSUT.

”Ajo që më shqetëson sot është infektimi në QSUT, ku me sa di unë shkak është bërë një infermiere, e cila e ka transferuar tek të tjerët, kjo është problematike. Duhet bërë maksimumi i mundshëm në kuptimin e vigjilencës, sidomos tek personeli mjekësor. Ky është një shkak, por unë do të kthehesha pas në kohë. Ne nuk kemi një kurbë të qartë, ndoshta për shkak të testimeve të pakta që janë bërë dhe po ashtu prej masave izoluese, që kanë qenë shumë shtrënguese. Po të vini re ditët e fundit, të infektuarit kanë qenë persona asimptomatikë, sepse shtrimet në spital kanë qenë me gishtat e dorës. Rastet e sotme janë raste të lehta, që tregon se agresiviteti i virusit ka rënë”.

Mjeku thekson se ka ikur faza e aplikimit të masave shtrënguese, ndërkohë bëri thirrje për ruajtjen e distancës dhe respektimi i protokolleve të higjienës personale. ”Për mua jemi në një fazë që po e mbyllim këtë fazë të parë. Personeli mjekësor nuk duhet të humbasë vigjilencën. Nëse njerëzit tolerojnë, personeli mjekësor nuk duhet ta lejojë. Masat kanë qenë paksa të çorientuara, ka ikur koha e masave shtrëngues, ajo që duhet të bëjmë është edukimi i njerëzve, të ruajnë distancën dhe higjienën personale. Sot u bënë 9 ditë që spitali “Shefqet Ndroqi” ka kaluar në normalitet, por nuk kemi parë ndonjë trend, që mund të na shkaktojë frikë”.

Nga ana tjetër, ai theksoi se për të kuptuar më mirë situatën e përhapjes së pandemisë në Shqipëri duhet të ishin bërë më shumë testime. Pavarësisht situatës, ai nënvizon se agresiviteti i virusit ka rënë dhe stina e pranverës favorizon imunitetin e qytetarëve.

SHKARKO APP