Mjeku pneumolog: Duhet të vaksinohemi, për të gjitha vaksinat do të kërkohet dozë përforcuese

Mjeku pneumolog Adrian Jorgjo e ka konsideruar jo një ogur të mirë rritjen e rasteve të reja me Covid-19 në prag të dimrit.

I ftuar në “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa, ai tha se janë shtuar rastet e reja në moshat e reja.

“Do shumë kujdes, nuk është një ogur i mirë. Imagjinoni në ambiente të mbyllura. Ka plot raste. Janë shtuar rastet e rënda tek moshat e reja. Si në të gjithë botën ka të vaksinuar dhe të pavaksinuar. Rastet e rënda dominojnë tek rastet e pavaksinuara”- tha ai.

Lidhur me dilemën e madhe që mjaft qytetarë kanë jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën nëse duhet te vaksinohemi apo jo, mjeku u shpreh pro një veprimi të tillë. Por sipas tij asnjë vaksinë nuk siguron mbrojtje të gjatë. Sipas tij të gjitha vaksinat do të kërkojnë një dozë të tretë.

“Jemi në mes të një pandemie. Covid nuk është shaka. Pranojmë që secili prej nesh ka pasur të afërm në mos veten që e kanë kaluar goxha rëndë. Po bëj një paralelizëm duke marrë gripin. Për gripin ne vaksinohemi çdo vit dhe kjo vaksinë mbron 4-5 muaj. Disa vende vaksinohen 2 herë në vit për gripin, një situatë që e njohim mirë. Duhet të jemi më të kujdesur për të folur për vaksinën e Covid dhe rezultatet e saj. Flasim për një fenomen. Unë mendoj që duhet vaksinimi. Sa afatgjatë mbron vaksina? Nuk ka vaksinë që mbron 100%. Vaksina të mbron në një afat të caktuar. Për të gjitha vaksinat do të kërkohet dozë shtesë”-tha ai.

SHKARKO APP