Mjeku shqiptar: Medikamentet që kanë rezultat ndaj koronavirusit

Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, i ftuar në A2, zbuloi se kush janë medikamentet që mund të përdoren për të luftuar koronavirusin. Sipas tij, “ende nuk kemi protokoll mjekimi me antiviralë të drejtpërdrejtë ndaj covid-19”, por mjeku shtoi se “nga eksperienca e kolegëve tanë në Itali, ka fakte që medikamente që i përdorim për gripin sezonal, japin rezultate shumë premtuese për koronavirusin. Tamiflu ka dhënë rezultate për shembull”. “Unë mendoj se medikamente të tilla do t’i përdorim sipas sugjerimeve të specialistëve”, theksoi Pipero.

Në lidhje me pacientin e parë me koronavirus të zbuluar në vendin tonë, Pipero tha: “Personi i parë ka shkuar në një institucion jopublik pasi mendonte se kishte grip. Më pas, është dyshuar se mund të jetë një rast koronavirusi dhe është nisur menjëherë në kushte maksimale sigurie në Qendrën Spitalore Universitare”. Kur u pyet nëse pacienti 0 mund të ishte zbuluar më parë, mjeku nënvizoi se në kufi është e pamundur që të dallosh nëse një person është i prekur apo jo nga koronavirusi.

”Nuk mund të kapet më herët nëse pacienti nuk ka shenja klinike ose vetë pacienti nuk vetëdeklarohet që vjen nga një zonë me intensitet virusi. Në pika kufitare mund të matet vetëm temperatura dhe nëse ka temperaturë, i bëhet një pyetësor personit. Pavarësisht masave të marra në pikat kufitare, pa shenja klinike nuk identifikohet dot. Është e rëndësishme që një person të bëjë veprimin më të mirë: të marrë në telefon 127 dhe jo të shkojë në qendër shëndetësore. Kjo, për të shmangur kontakte me njerëzit”.

SHKARKO APP