Mjeku shqiptar në Itali: Nuk kishim parë kurrë një gjë të tillë, izolimi funksionoi!
Mjeku shqiptar në Itali, Alban Beltoja i ftuar në emisionin “Arena” nga Dritan Hila në RTV ORA, ka folur për situatën e koronavirusit në Itali, ku ai punon prej kohësh.
Beltoja: Ne kemi trajtuar që në fillim në terapinë intensive 1500 raste. Është një gjë që ne nuk e kishim parë kurrë më parë, ishim të papërgatitur për një fluks të tillë, dhe kjo gjë na vuri në vështirësi.
Hila: A ka funksionuar karantina tek ju, në krahasim me Bergamon?
Beltoja: Me datë 22 shkurt nisi karantina e parë, më vonë e gjithë province ishte në karantinë. Në provincën e Bergamos filloj në datën 7 dhe 8 mars, dhe kjo duket në shifrat e mëdha që ka ky rajon. Përsa i përket rasteve ne e pamë për 10 ditë ose dy javë, uljen e ndjeshme të rasteve të reja, dhe uljen e rasteve të rënda. Vetëm në Lodi janë 300 të vdekur, por këto raste janë të përqendruara në dy javët e para të marsit, në dy javët e dyta kemi parë ulje të ndjeshme, kjo për shkak të karantinës.
Hila: A ka një konspiracion në lidhje me koronavirusin, pasi këtu flasin se gripi ka vrarë më shumë njerëz vjet sesa koronavirusi sivjet?
Beltoja: Jo unë thashë, kjo ishte një sëmundje e re, na kapi në befasi, nuk e prisnim që të kishim këto shifra, dhe këtë vdekshmëri të lartë. Sa për teoritë, unë i këshilloj që të shikojnë një ditë në spitalet tona, gjendja është shumë e rëndë.
Hila: A ka pasur shqiptarë të prekur?
Beltoja: Po, ka shqiptarë, aktualisht të shtruar ka edhe që po shkojnë mirë, por ka edhe që janë në gjendje kritike. Për momentin nuk kemi asnjë humbje jete.
Hila: A kemi një kurë për këtë sëmundje, ose medikamente që bëjnë efekt?
Beltoja: Ne po provojmë disa medikamente, të sugjeruara nga ekspertë të Italisë dhe të OBSH, dua të theksoj se për këtë virus nuk ka asnjë virus që është i certifikuar. Aktualisht ne jemi bazuar tek antivaralët.
Hila: Si u prit ardhja e mjekëve shqiptarë në Itali, u ndje aty?
Beltoja: U prit shumë mirë, pati një entuziazëm të madh, të paparë mes kolegëve të mi. Kuptohet, ardhja e tyre në atë skenar aq të vështirë, është një shenjë e rëndësishme solidariteti, është një shenjë e një miqësie mes dy popujve. Ka pasur shumë impakt pozitiv në shoqërinë italiane.
Hila: Një këshillë për mjekët shqiptarë, dhe publikun?
Beltoja: Një këshillë për mjekët, në punën tonë të përditshme me këtë sëmundje, duhet të kenë kujdes, të përdorin mjetet e mbrojtjes, të zbatojnë me përpikmëri protokollet e mbrojtjes, pasi një mjek e infermier është shumë i vlefshëm, nëse ata do të preken, shumë pacientë nuk do të marrin shërbimin e duhur. Për mjekët që kanë ardhur në Itali, ata do të mund të marrin një eksperiencë shumë të mirë me atë që po ndodh këtu, dhe ta shohin situatën nga afër, e më pas tu tregojnë kolegëve në Shqipëri.