Mjeku Vargu: Në shkurt pritet vala e tretë e Covid-19, ja masat që duhen marrë
Mjeku kardiolog Petrit Vargu, e quan mungesë respekti dhe ofendim për katolikët, vendimin që masat e reja do të fillojë për Krishtlindje. Sipas tij masat anti-covid në vendin tonë që sipas tij ka një nivel të përhapjes së virusit shumë më të madhe se të gjitha vendet evropiane, duhet të jenë shumë më të forta se këto që janë aktualisht, dhe duhet të shtrihen jo vetëm në kohë, por edhe në hapësirë.
”Unë jam në favor të masave, akoma më tepër, duhet të marrim masa shtrënguese sepse vendi është i zbuluar me këto masa, masat e marra nga ne janë më të butat. Karantina totale s’do të ishte zgjidhje por mund të kemi masa që nuk dëmtojnë ekonominë. Mesazhi im është që masat janë të drejta, po nuk duhet të nisni, katolikët duhet të festonin lirshëm. Ka hapësirë për masa të tjera. Jemi në një përqindje të lartë infektimi, 18-19 %, një pozitivitet që nuk e ka asnjë vend i botës, me gjithë uljen e rasteve ditët e fundit. Jemi vendi me rastet më të larta në Evropë”, tha ai.
Nga ana tjetër, mjeku shpjegoi se nga ajo që njihet për këto pandemi ato kanë 3 valë dhe në muajin shkurt pritet vala e tretë, e cila sipas tij do të jetë edhe e fundit nëse merren masat e duhura.
“Ne tani po mbarojmë kurbën e dytë, këto pandemi kanë tre valë. Në shkurt pritet të nisë një kurbë e tretë, por kjo është për t’u parë se si do të shkojë. Falë masave të marra pritet të ketë një ulje të rasteve në fund të janarit dhe në fillim shkurtit kemi valën e tretë që mund të jetë edhe e fundit nëse marrin masat e duhura. Nëse jo do të mbetemi në këtë gjendje për shkak të mosmarrjes së masave të zgjuara nga ata që drejtojnë. S’duhet të kënaqemi me numrat që kemi, masat duhet të jenë shumë më të zgjuara, jo vetëm, me orare e bareve, të luhet me rajonet, me vatrat në mënyrë që jo e gjithë popullsia të dëmtohet nga këto masa”, tha kardiologu.