Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të politikës dhe të diktaturës

Nga Prof. Eshref Ymeri

(Gorki dhe Kadareja)

Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. Disa prej tyre janë nisur nga bindjet e veta politike, disa për sigurimin e përfitimeve, disa nga frika për t’iu shmangur ndëshkimit të saj, disa të tjerë për shkak të natyrës së tyre servile, kurse një pjesë fare e vogël patën zgjedhur rrugën e heshtjes. Interesant është një informacion, të cilin Aleksej Orllovi, njëri nga hulumtuesit rusë të shtigjeve të jetës së Maksim Gorkit, e pati botuar në internet ca vite të shkuara. Ai shkruan:
“Kisha kohë që më hanin duart për të shkruar për vizitën e Maksim Gorkit në Nju Jork, por s’po më krijohej rasti kurrsesi. Njëqindvjetori i vizitës së tij – viti 2006 – kishte kohë që pati kaluar, por një tjetër vit jubilar – 125 vjetori – është ende larg. Por rasti m’u krijua para pak kohësh. Gazeta “Wall Street Journal” i pati kërkuar profesorit të Universitetit të qytetit të Nju Jorkut Majk Uolles (Mike Wallace) të përmendte, në këndvështrimin e tij, pesë librat më të mirë që i qenë kushtuar Nju Jorkut të viteve të para të shek. XX. Uollesi, bashkautor i librit për historinë e Nju Jorkut që nga dita e themelimit deri në vitin 1898, një libër ky, për të cilin ai ishte vlerësuar me Çmimin Pulitzer, ndër pesë librat më të mirë, përmendi esenë e Maksim Gorkit “Qyteti i djallit të verdhë”. Pikëpamja e Uollesit qe publikuar në numrin e shtunë-e diel të datave 4-5 nëntor 2017, në prag të 100-vjetorit të revolucionit bolshevik, se Gorki ishte tellall i bolshevikëve. Përzgjedhja e Uollesit dhe data jubilare m’i zgjidhën duart për të hedhur në letër rrëfimin për vizitën e “zgalemit të revolucionit” në Nju Jork” (Citohet sipas: Aleksej Orllov. “Pse Gorki nuk e pëlqeu Nju Jorkun”. Faqja e internetit “GazettCo”. 18 nëntor 2017).
Në vijim, Aleksej Orllovi vazhdon rrëfimin për esenë e Gorkit, e cila, në shkollat sovjetike, kishte qenë e përfshirë në programin e leximit të detyrueshëm për nxënësit, çka nuk vazhdoi më, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Në rrëfimin e vet, autori tërheq vëmendjen për një fakt interesant:
“Eseja e Gorkit përbëhet prej 3402 fjalësh dhe të thuash që shkrimtari ziente nga urrejtja për Nju Jorkun, do të thotë që nuk ke thënë asgjë”.
Gorki, i shoqëruar nga dashnorja e tij, artistja e shquar e teatrit Maria Andrejeva, pati arritur në Nju Jork 115 vjet më parë, pikërisht si sot, më 10 prill 1906. Sapo zbriti në tokën amerikane, ai u befasua dhe ja se si reagoi:
“Unë e ndiej veten si në shtëpi. Nuk është mbushur as një orë që kur kam ardhur këtu, por tashmë e kuptova që ky është qyteti më i madh dhe Shtetet e Bashkuara janë vendi më madhështor në botë. Kjo është një fantazi befasuese prej guri, xhami dhe hekuri. Të gjithë këta berlinët, parisët dhe të tjera qytete “të mëdhenj” janë një hiç në krahasim me Nju Jorkun. Socializmi duhet të fitojë fillimisht këtu – kjo është gjëja e parë që të vjen ndër mend kur shikon këto pallate, makina dhe të tjera gjëra mahnitëse… Një gjë madhështore… Nuk kam për t’u larguar derisa të mësoj se si ka qenë e mundur të ndërtohet një gigant i tillë!” – ngazëllohej Gorki tek këqyrte rrokaqiellin e ndërtuar një vit më parë, në të cilin kishte selinë redaksia e gazetës “Nju Jork Tajms””.
Midis njerëzve që kishin dalë për ta pritur Gorkin, sapo ai zbriti nga anija transoqeanike “Kaizer Vilhelm dep Grosse”, ishte edhe ndërtuesi milioner Hejlord Uilshir (Gaylord Wilshire – 1861-1927), i cili asokohe botonte në Los Anxhelos revistën e socialistëve “The Challenge” (Prova), redaktonte revistën e socialistëve “Syndicalist” dhe disa herë pati garuar për poste të ndryshme, si kandidat i partisë socialiste. Pikërisht Uilshiri ishte ai që pati financuar vizitën e “zgalemit” të revolucionit bolshevik. Për mysafirin dhe zonjën e tij (kështu qe regjistruar Andrejeva në hotel) ai kishte zënë një dhomë në katin e nëntë të hotelit luksoz “Bellecllaire” dhe e pati reklamuar figurën e Gorkit në mënyrë amerikane: shkrimtarin e pritën si në mjedise letrare, ashtu edhe në mjedise socialiste. Gorki kishte shkuar në Amerikë jo për problemet e letërsisë, por për… djallin e verdhë – për dollarë. Qëllimi kryesor i tij ishte grumbullimi i parave për arkën e bolshevikëve. Për udhëtimin e Gorkit e kishte dhënë miratimin vetë Lenini. Mysafiri shpresonte të siguronte miliona dollarë. Uilshiri nuk dyshonte se Gorki me ato miliona dollarë do të largohej nga Amerika.
Më 11 prill, për nder të Gorkit, dha një pritje Ivan Narodni, përfaqësues amerikan i organizatës “Revolucionarët ushtarakë rusë”. Aty ai e mori fjalën i pari. Mandej përshëndeti shkrimtari i njohur Mark Tueni (Mark Twain – 1835-1910). Orator kryesor ishte shkrimtari socialist Robert Hanter (Robert Hunter – 1874-1942). Më 12 prill, Gorki dhe Andrejeva bënë një ekskursion nëpër qytet, kurse në mbrëmje, në nderim të shkrimtarit, socialistët organizuan një darkë në restorantin “Aldine”. Reporterët e shoqëronin Gorkin gjithandej. Majtistë të të gjitha ngjyrave – socialistë, anarkistë, nihilistë – i shkonin pas me turma dhe ai ua plotësonte kërkesat me kënaqësi. Por më 14 prill, siç njofton Aleksej Orllovi që citon gazetën “New York World”, shpërtheu stuhia kundër Gorkit:
“… e ashtuquajtura madam Gorki nuk është aspak madam Gorki, por është aktorja ruse Andrejeva, me të cilën ai bashkëjeton disa vjet pasi është ndarë me bashkëshorten”.
Gazeta pati botuar një fotografi të Gorkit me të shoqen dhe me dy fëmijë, si edhe fotografinë e Andrejevës. Ky informacion e pati revoltuar në kulm administratorin e hotelit “Bellecllaire” Milton Robli, i cili u deklaroi gazetarëve:
“Hoteli im është hotel për familjarë, prandaj këtu nuk ka vend për Gorkin me shoqëruesen e tij”.
Reporterët e sulmuan me pyetje Roblin, ndërkohë që Gorki dhe Andrejeva vazhdonin ekskursionin e radhës nëpër qytet, pa ditur se ç’i priste. Uilshiri vendosi t’u paraprinte ngjarjeve. Ai u ngjit në katin e nëntë dhe priti sa të ktheheshin mysafirët. Dhe vijnë reagimet e para të Gorkit plot zemëratë:
“Një skandal i pistë! Publikimi i një shpifjeje të tillë është një turp për shtypin amerikan. Jam i befasuar që në vendin që njihet për dashurinë ndaj së vërtetës dhe nderimin ndaj grave, mund të gjente vend një shpifje e tillë…”.
Në paradhomën e hotelit qenë mbledhur reporterët, të cilët e kishin marrë vesh se mysafirët do të dëboheshin. Uilshiri vazhdonte të kujdesej për mysafirët, të cilëve u propozoi shtëpinë e vet, por ata nuk pranuan dhe prej aty u zhvendosën në hotelin “Lafayette-Brevort”, ku nuk qëndruan gjatë dhe u larguan për t’u strehuar në një apartament jo larg atij hoteli.
Mark Tueni nuk pranoi ta komentonte ngjarjen. Shkrimtari socialist Leroi Skot (Leroy Scott – 1875-1929) u tha gazetarëve:
“E ndiej veten keq të flas për një temë të tillë”.
Shumica e atyre që e patën pritur Gorkin me urra, mundoheshin ta harronin sa më shpejt. Ngjarja e lartpërmendur çoi, praktikisht, në dështimin e misionit të Gorkit për të grumbulluar para për fondin e partisë bolshevike. Megjithatë, ai nuk u nxitua të largohej nga Amerika. Ai vizitoi edhe Bostonin dhe Filadelfinë, por, në vend të miliona dollarëve, mezi mundi të sigurojë gjithë-gjithë 10 mijë dollarë.
Fundi i “torturave” të Gorkit dhe të Andrejevës, erdhi pas gjashtë muajsh. Më 13 tetor ata u larguan nga Amerika për në drejtim të Evropës.
Shumë shpejt, pra, po atë vit, Gorki do të botonte esenë “Qyteti i djallit të Verdhë”. Ja disa skena nga ajo ese:
“Atje poshtë, nën një rrjetë hekuri të “rrugës ajrore”, mes pluhurit dhe pisllëkut të urave, vërtiten në heshtje ca fëmijë… Një plak gjatahul dhe kockë e lëkurë, me një fytyrë egërsore, pa kapelë në kokën me thinja, duke pulitur qepallat e skuqura të syve të sëmurë, gërmon me kujdes në një pirg mbeturinash… Një djalosh pranë një feneri, shkund kokën kohë pas kohe, duke shtrënguar fort dhëmbët nga uria… Në qiellin e zymtë, të mbuluar nga bloza, shuhet dita… Nga muret e pallateve, nga perdet, nga dritaret e restoranteve derdhet drita verbuese e Arit të shkrirë. Kjo magji e shpifur i vë në gjumë shpirtrat e njerëzve, ajo i shndërron ata në armë të lehta në dorën e Djallit të Verdhë, i kthen në mineral, prej të cilit ai shkrin Ar pa pushim, gjakun dhe mishin e vet. Qyteti bie në gjumë në një gjendje zagushie, nxjerr një britmë të përvajshme, si ndonjë kafshë gjigante. Kjo ka gëlltitur lloj-lloj ushqimi gjatë ditës, ka zagushi, i vjen zor dhe sheh në gjumë ca ëndrra idiote, ca ëndrra të rënda.
Dhe në mbyllje, fjalët e fundit:
“Ra në gjumë dhe po përçartet në endrra qyteti i zymtë i Djallit të Verdhë”.
Siç shihet, në këtë ese Gorki ka përshkruar ca skena të frikshme, të cilat i ngjallin lexuesit ankth dhe tmerr. Dhe lexuesi rri e përsiat: si është e mundur që një shkrimtar me penë të talentuar t’i lejojë vetes ta tjetërsojë personalitetin deri në atë shkallë, saqë të arrijë të mohojë gjithë atë ngazëllim që i pati ngjallur Nju Jorku, sapo vuri këmbën në tokën amerikane?
Pra, ja ky ishte “dajaku” i Maksim Gorkit për Nju Jorkun, që “ia dha” për të vetmen arsye se gazeta “New York World” zbuloi të vërtetën për dashnoren Maria Andrejeva, të cilën e pati prezantuar si bashkëshorten e vet. Dhe s’e pati për gjë ta sulmonte gazetën për “shpifje”.
Gorki ka qenë i njohur për lakadredhat e veta në raport me politikën dhe me diktaturën.
Autoritetet sovjetike përdorën të gjitha mënyrat për t’i gjunjëzuar dhe për t’i vënë në shërbim të politikës së vet të gjithë poetët dhe shkrimtarët disidentë. Tepër domethënës është qëndrimi i tyre ndaj Maksim Gorkit. Pas Revolucionit të Tetorit, megjihëse, siç u theksua më lart, i pati simpatizuar bolshevikët, Gorki mbajti një qëndrim të hapur kundër vijës së tyre politike dhe, konkretisht, kundër Leninit. Në artikujt e tij polemikë, Gorki përsiat për fatet e revolucionit dhe të kulturës në Rusi. Aty Gorki akuzonte Leninin për marrjen e pushtetit me dhunë dhe për shpërthimin e terrorit. Ndër të tjera, ai shkruante:
“Shfarosja një për një e kundërshtarëve politikë është një metodë e vjetër, e provuar tashmë në politikën e brendshme të qeverive ruse. Të gjithë udhëheqësit tanë politikë, që nga Ivani i Tmerrshëm e deri te Nikolla II, e kanë shfrytëzuar lirshëm dhe gjerësisht këtë metodë të thjeshtë dhe të volitshme. Atëherë pse u dashka që Lenini të heqë dorë nga një metodë e tillë e thjeshtëzuar? Prandaj edhe ai nuk po heq dorë kur deklaron hapur se nuk do ta stepë asgjë në synimet e veta për shfarosjen e armiqve” (Citohet sipas:“Njesvojevremennëje mësli”(Mendime jo në kohën e duhur). Moskë 2002, f. 33).
Edhe ca vjet më vonë Gorki do të vazhdonte të mbante të njëjtin qëndrim kundër regjimit sovjetik. Më 21 prill 1923 ai i shkruante Romen Rolanit nga ishulli Kapri:
“Unë nuk kam as më të voglën kënaqësi për t’u kthyer në Rusi. Unë nuk mund të shkruaj, kur e di se humb kohën kot duke llomotitur të njëjtin avaz: “Nuk duhet vrarë!”” (Citohet sipas: “Libri i zi i komunizmit, BESA, Tiranë 2000, f. 572).
Por, fatkeqësisht, pikërisht po ky Maksim Gorki, që shkruante kësisoj, përkitazi më 30 janar 1918 dhe më 21 prill 1923, disa vjet më vonë, i tërhequr tashmë nga pozitat e mëparshme nën presionin e propagandës dhe të autoriteteve sovjetike, do të mohonte vetveten, do ta ndërronte pllakën dhe do të lëshonte një deklaratë krejt të kundërt. Në një tjetër letër, që i drejtonte Romen Rolanit nga Moska më 02 nëntor 1930, Gorki, i cili tashmë i kishte përqafuar përfundimisht idetë e shefit të Kremlinit, do të shkruante fare ndryshe për ngjarjet e përgjakshme që po zhvilloheshin në Bashkimin Sovjetik në kuadrin e fushatës së ethshme për kolektivizimin e bujqësisë:
“Më duket, Rolan, se ju do t’i kishit gjykuar ngjarjet e brendshme të Bashkimit Sovjetik me më tepër qetësi dhe paanshmëri, në qoftë se do të kishit pranuar këtë fakt të thjeshtë: regjimi sovjetik dhe pararoja e partisë punëtore ndodhen në gjendje të luftës civile, që do të thotë në luftë klasash. Armiku, kundër të cilit ata luftojnë dhe duhet të luftojnë, është inteligjencia, që mundohet të instalojë regjimin borgjez, dhe fshatari i pasur, që, duke mbrojtur pronat e veta të vogla, baza të kapitalizmit, pengon punën e kolektivizimit” (po aty, f. 573).
Lexuesi ndien keqardhje të thellë kur njihet me evolucionin e palakmueshëm të bindjeve politike të Gorkit, të cilat mishërohen në sulmin që ai ndërmerr kundër inteligjencies në vitin 1930, duke e kërcënuar atë me gogolin e luftës së klasave, ndërkohë që 12 vjet më parë ai dilte hapur në mbrojtje të saj:
“Në gazetën “Pravda” lloj-lloj egërsirash e nxisin proletariatin kundër inteligjencies… Sido dhe sado bukur të flasin mendjellinjtë e bolshevizmit, prapëseprapë nuk mund të mohohet fakti që revolucioni rus po jep shpirt pikërisht për arsye të mungesës së forcave intelektuale” (Gazeta “Novaja zhiznj”, 04 prill 1918. Citohet sipas librit të Gorkit, të përmendur më lart, f. 39-40).
Kjo tregon se deri në ç’derexhe e katandis veten një ish-shkrimtar disident, i cili vihet kokë e këmbë në shërbim të diktaturës!
Pra, Gorki, vjen e bëhet zëdhënës i drejtpërdrejtë i diktaturës në zhvillimin e luftës së klasave.
Maksim Gorki “e pati një arsye” që i dha “një dajak të fortë” Nju Jorkut. Po cila ishte “arsyeja” që Kadarea, 65 vjet më vonë, pikërisht në vitin 1971, atij qyteti “i dha një dajak edhe më të forte”. Atë vit, në Nju Jork, u zhvillua një kongres i rinisë botërore, ku mori pjesë edhe një delegacion i rinisë shqiptare. Në radhët e delegatëve të rinisë shqiptare ishte edhe Kadarea. Kur u kthye nga Nju Jorku, në gazetën “Zëri i Popullit, Kadarea botoi esenë e gjatë me titull “Një botë në rënie”.
Të vjen keq që eseja e Kadaresë nuk qe përkthyer për t’u botuar në anglisht. Sikur eseja të qe përkthyer dhe botuar në këtë gjuhë, me siguri që profesori Uolles, krahas esesë së Gorkit, do ta kishte përmendur si njërin nga librat “më të mirë” që i qenë kushtuar Nju Jorkut.
Pra, nëse eseja e Gorkit zë një vëllim prej 10 faqesh libri, eseja e Kadaresë arrin në më shumë se 20 faqe. Nuk dihet arsyeja e vërtetë se pse Kadarea u përfshi në përbërjen e delegacionit të rinisë shqiptare. Gjasat janë se duhet të ketë qenë porosi nga lart dhe ka shumë mundësi që atë ta ketë dhënë vetë kryediktatori, të cilit, si armik i inperializmit amerikan, i interesonte që popullin shqiptar ta mbante sa më larg Amerikës. Prandaj do të priste që, pas kthimit nga Nju Jorku, Kadarea, si një servil i regjur i tij, të botonte një shkrim mjaft fshikullues për demaskimin e atij imperializmi. Dhe Kadarea, autori i korpusit të njohur poetik në shërbim të kryediktatorit, porosinë e kreu për bukuri. Le të citojmë një pjesë të shkëputur nga ajo ese, e përfshirë në serinë “Vepra Letrare”. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Vëll. 12, f. 271-294).
“…Pas pasurisë borgjezia kërkon pushtet dhe pas pushtetit kërkon lavdi. Një shekull më parë Marksi e ka parashikuar edhe këtë… Shoqëria e sëmurë amerikane e 0tregon veten e saj sidomos natën… Broduej është një lloj ekspozite e Nju Jorkut. Këtu luksi dhe mizerja, bukuria dhe turpi, brutaliteti dhe protesta, mençuria dhe degjenerimi, të ndriçuara në mënyrë të ethshme, rrinë pranë e pranë… Kur bie nata, Broduej shfaqet lakuriq me gjithë vulgaritetin e vet, i babëzitur, i paturpshëm… Në Broduej, në sfondin e shkëlqimit të çmendur, mjerimi dhe degjenerimi shfaqen lakuriq… SHBA janë bërë vendi klasik i shantazheve dhe vrasjeve politike. Përgatitja e atentateve ka arritur këtu përfeksionimin më të lartë… Statuja e lirisë është monumenti që borgjezia i ka ngritur lirisë së saj, lirisë për të sunduar… Ka disa muaj që në ekranet mund të shikosh gjëra më të shthurura që mund të sajojë imagjinata më e sëmurë e maniakëve seksualë… Ky mit është një nga shfaqjet e shkallëzimit të degjenerimit të shoqërisë së sëmurë amerikane… Asnjëherë dhe asgjëkundi nuk mund të jetë poshtëruar femra në këtë mënyrë… Rinia amerikane është në kërkim të vazhdueshëm. Ajo kërkon rrugët e protestës. Dyqanet e letërsisë politike janë të mbushura ditë e natë me të rinj… Ata kërkojnë librat e Leninit, Marksit, Stalinit… Çe Guevarës. Po sidoqoftë, autori që kërkonin mbi të gjithë është Lenini!”.
Kadarea ka harruar ta theksojë se ka qenë “mëkat i madh” që “veprat” e kryediktatorit Enver Hoxha asokohe nuk figuronin ende të përkthyera dhe të ekspozuara nëpër libraritë e letërsisë politike në Nju Jork, se të rinjtë amerikanë “do të bënin njërën për t’i blerë”.
Në dallim të theksuar nga skenat sa të frikshme, aq edhe neveritëse, që pati shpikur nga mendja Kadarea, në kujtimet e një diplomati të njohur të karrierës, Nju Jorku, përmes simbolit të tij “Broduei”, shfaqet para lexuesve ashtu siç është në të vërtetë, i bukur, krenar dhe madhështor
“… Natën “Broduei” është fantastik me ato dritat e shumta dhe reklamat marramendëse. Bukurinë ja shton edhe kalimi me kuaj shtatlartë, i punonjësve të shërbimit të policisë që duhet të mbajnë rendin. Megjithatë, deri më sot, edhe pse dalim më këmbë aty, asnjëherë nuk kemi patur as më të voglin problem. “Radio Siti Holl”, ku zhvillohen shfaqje madhështore, duket nga larg me dritat e tij shumëngjyrëshe. Më ka bërë përshtypje edhe një shfaqje e komikut britanik Atkinson, i cili për dy orë na bëri për të qeshur në atë teatrin në Broduej” (Citohet sipas: Alfred Papuçiu. “Ditari i një jete në diasporë (III)”. Faqja e internetit “Zemra Shqiptare”. 13 qershor 2009).
Është interesante se Kadarea e ka vizituar Amerikën, me siguri që edhe Nju Jorkun. Në Amerikë është nderuar edhe me Çmime. Por asnjëherë nuk iu dëgjua zëri për të kërkuar ndjesë për atë esenë e vitit 1971 dhe të deklaronte burrërisht se qe i detyruar nga halli për ta botuar. Pas vitit 1990, ai duhej të kishte dalë para lexuesve me një pendesë publike, se është i bindur plotësisht se sa e dashur, se sa e shtrenjtë ka qenë dhe mbetet Amerika për mbijetesën e kombit shqiptar, i cili, me Traktatin e fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, qe kërcënuar me fshirje nga harta nga shovinizmi i vendeve të Perëndimit evropian, nën diktatin e shovinizmit rusomadh. Por Kadarea nuk e njeh absolutisht institucionin e pendesës, siç e ka pranuar vetë në një intervistë për zonjën Mimoza Kelmendi së cilës i ka pasë deklaruar:
“…tek mua s’ka vend fjala pendim për asgjë” (Citohet sipas: “Kadare për dashurinë, femrat, pasionin dhe pendesën. Sipas një bisede të lirë me shkrimtarin Ismail Kadare në Paris”. Faqja e internetit “Epoka e Re”. 10 tetor 2014).
Sot, kur lexuesit kujtojnë esetë e Gorkit dhe të Kadaresë që ia patën kushtuar Nju Jorkut, sjellin ndër mend dy relikte që kanë ardhur deri në ditët tona si mbeturina të kohëve të lashta, relikte këto që i bëjnë të bien në përsiatje se deri në ç’mjerim e katandis veten një shkrimtar i talentuar që vihet në shërbim të politikës dhe të diktaturës. Prandaj skenat e shëmtuara që përshkruajnë Gorki dhe Kadarea për Nju Jorkun, fshihen nga kujtesa vetvetiu dhe para syve të lexuesve shfaqen bukuritë e Brodueit që pasqyron diplomati Alfred Papuçiu dhe sidomos ato skenat madhështore që jep gazetari dhe publicisti i njohur Beqir Sina në esenë me titull“Udhëtim nëpër Amerikë: Nju Jork, qyteti i “Rrokaqiejve”, simboli i madhështisë së Amerikës”. San Diego, Kaliforni
10 prill 2021

SHKARKO APP