Modeli i Autonomisë Spitalore, Manastirliu: Krijimi i 11 ndërmarrjeve sociale me qëllim mbështetjen e grave

Gjatë prezantimit të programit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrja Ogerta Manastirliu tha se do të sigurojmë vaksinat anti-covid për gjithë popullatën e targetuar. ”Zbatimi i Modelit të Autonomisë Spitalore do të jetë kryefjala e kësaj reforme. Do ta pilotojmë gjatë 2022, dhe deri në 2025 ky model do të jetë eksportuar në spitalet e tjera. Objektivi ynë është që spitalet tona publike të administrohen, sipas një sistemi që shpërblen mbi bazën e performancës. Një sistem që eleminon çdo abuzim dhe papërgjegjshmëri në kurriz të qytetarëve”.

Manastirliu në fjalën e saj tha se kantieri i shëndetësisë do të zgjerohet me vepra të infrastrukturës në gjitha rajonet, duke theksuar se brenda vitit 2025 do të kemi katër pole spitalore. Ministrja tha se do të investohen ne modernizimin me tej të rrjetit të Urgjencës Kombëtare dhe do të ndërtohet Programi Kombëtar i mjekësisë së specializuar të lëvizshme, me qëllim që qytetarët në zonat më të thella të vendit të kenë akses periodik në shërbimin shëndetësor.

Duke folur për programet e mbrojtjes sociale, Manastirliu tha se do të zgjerohet skema e mbulimit të familjeve dhe individëve në nevojë, duke e ndërthurur me rritjen e aksesit në punësim. “Do të zgjerojmë skemën e mbulimit të familjeve dhe individëve në nevojë si dhe rrisim aksesin në punësim, nëpërmjet programit “Mbështetje për Ri-integrim”, i cili nga ana e vet, do të plotësohet nga programi “Shqipëria Punon”, duke përmirësuar lidhjen me skemat e punësimit, me shërbime të integruara, për të arritur daljen nga skema e Ndihmës Ekonomike”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e vuri theksin edhe tek reforma e aftësisë së kufizuar, si një shtyllë e rëndësishme e programit të mbrojtjes sociale të qeverisë. Duke e konsideruar si një program universal për familjet, Manastirliu tha se të vijojë mbështetja e mbi 30 mijë fëmijëve të porsalindur çdo vit, duke financuar Programin e Bonusit të Bebes.

Në prezantimin e programit të qeverisë për mbrojtjen dhe përfshirjen sociale, ministrja u ndal edhe tek mekanizmi i Fondit Social, nëpërmjet të cilit do të zgjerohet rrjeti i qendrave dhe shërbimeve të reja në territor për fëmijët, gratë, personat me aftësi të kufizuar dhe të moshuarit në nevojë në të gjitha bashkitë e vendit si dhe do të mbështetet krijimi i 11 ndërmarrjeve sociale me qëllim mbështetjen e grave dhe vajzave.

SHKARKO APP