Modernizimi i transportit rrugor në Ballkan! Detajet e projektit nga i cili përfiton dhe Shqipëria

Një projekt me rëndësi rajonale synon të rrisë bashkëpunimin tregtar e afrojë parametrat e transportit rrugor të mallrave në Ballkan. Shawn W. Tan, drejtues i ekipit për zbatimin e projektit flet ekskluzivisht për “Deutsche Welle” ku shpjegon detajet e projektit.

Tan evidenton në intervistë se tregtia e mallrave në Ballkanin Perëndimor nuk pengohet nga tarifat doganore. Sipas tij, pjesën më të madhe të kostos së eksport-importit e marrin inspektimet dhe procedurat e zhdoganimit në pikat e kalimit kufitar, që kërkojnë shumë kohë dhe nuk janë në linjë me ato në vendet e BE.

Projekti i ri, sipas Tan është pjesë e agjendës së “connectivitet” në kuadër të Procesit të Berlinit dhe  synon të reduktojë kostot e tregtisë me ngritjen e një Sporteli të vetëm Kombëtar në pikat kufitare, që pritet të përmirësojë transparencën dhe integritetin, të ulë kostot e transaksioneve tregtare, përmirësojë koordinimin mes agjencive tregtare dhe zvogëlojë kohën e kalimit të mallrave në pikat doganore.

Përveҫ kësaj zbatimi i tij do të rrisë efikasitetin e transportit përmes instalimit të një sistemi inteligjent që do të bëjë të mundur një transport më të sigurtë dhe më efikas. Modernizimi i tij do të zvogëlojë gjithashtu kohën e udhëtimit të tregtarëve nga një vend i rajonit në tjetrin si edhe nga fabrikat dhe magazinat e tyre të mallrave.

Përfundimisht, projekti do të mundësojë ngritjen e një pike të përbashkët të kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe një sportel të vetëm, one-stop shop, për transportin rrugor të mallrave, (të ngjashme me pikën e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës) gjë që do të zvogëlojë kohën e kalimit kufitar” shpjegon më tej Shawn W. Tan.

Sa i përket pikave të kalimit kufitar që do të përmirësohen nga zbatimi i këtij projekti, Tan thotë se do të përmirësohen pikat e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Zbatimi i projektit do të fillojë në kohë të ndryshme në secilin vend të Ballkanit Perëndimor, që nga Tetori 2019 deri në Shkurt 2020. Kostoja totale e zbatimit të projektit është 90 milionë dollarë. Banka Botërore e ka miratuar kredinë për këtë projekt.

Artikulli origjinal: https://www.dw.com/sq/90-milion%C3%AB-dollar%C3%AB-p%C3%ABr-modernizimin-e-transportit-rrugor-n%C3%AB-ballkanin-per%C3%ABndimor/a-50670993

SHKARKO APP