Momente paniku në Bruksel, burri hidhet në shinat e metrosë, pasagjerët ndërhyjnë për ta shpëtuar
Skena paniku janë regjistruar në Bruksel, ku një burrë u hodh në shinat e metrosë, duke rrezikuar jetën e tij dhe duke alarmuar pasagjerët.
Sipas raportimeve të RTL Info, ngjarja ndodhi në stacionin Comte de Flandre, ku burri dyshohet të ketë pasur probleme të shëndetit mendor.
Pamjet e publikuara në rrjet tregojnë momentin kur ai shtrihet mbi shina, ndërsa një tren afrohej me shpejtësi, duke e bërë situatën tejet kritike.
Një prej pasagjerëve reagoi menjëherë duke zbritur për ta ndihmuar, por u detyrua të tërhiqej kur kuptoi rrezikun e afërt nga treni. Ndërkohë, qytetarët e tjerë nisën të bërtasin dhe të sinjalizojnë makinistin, i cili arriti të frenojë në kohë, duke shmangur një tragjedi.
Burri u nxor nga shinat me ndihmën e disa personave të pranishëm dhe më pas u transportua në spital nga shërbimet emergjente. Gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë ende e ditur.
KOHA JONË SONDAZH

