Monstra e Resulajt në gjykatë, dëshmitarët ikin nga Shqipëria
Nesër në Gjykatën e Vlorës do të jetë gjyqi ndaj autorit të masakrës së Resulajt në Selenicës, Ritvan Zykaj por prokuroria dhe gjykata kanë marrë informacion se disa nga dëshmitarët janë larguar nga vendi.
Disa nga dëshmitarët e masakrës do të mungojnë në sallën e gjyqit ndaj Ritvan Zykajt. Ata janë larguar nga fshati i tyre por edhe nga Shqipëria. Sipas prokurorit Saimir Smaka, mungesa e tyre nuk do të pengojë zhvillimin e gjyqit, pasi do të merren për bazë deklaratat para grupit hetimor.
Ritvani vazhdon të qëndrojë në dhomat e izolimit në Policinë e Vlorës. Ai nuk flet me askënd dhe askush nuk ka shkuar ta takojë. Policët që kanë mundur ta shikojnë nga afër, tregojnë se Zykaj shfaqet si një qenie jo e zakonshme. As qesh e as qan por me një pamje psikopati të frikshme.
Ai është vrasësi i tetë kushërinjve të tij në 10 shkurt të vitit të kaluar, midis tyre një fëmijë tetë vjeç dhe një adoleshente. Zykaj qëlloi mbi ta me automatik pa asnjë pendim, njëri pas tjetrit. Momentin kur u arrestua tha se i urrente ngaqë e quanin hajdut pulash.
KOHA JONË SONDAZH

