Mori 800 mijë lekë për pacienten me Covid-19, lihet në burg Tire Alldervishi
Mëngjesin e kësaj të enjte, Gjykata la në masën e sigurisë ”arrest me burg”, sanitaren e spitalit “Shefqet Ndroqi”, Tire Alldervishi, e cila u arrestua një ditë më parë për marrjen e 800 mijë lekëve të reja. 58-vjecarja akuzohet për mashtrim të pacientëve më shumë se një herë.
Shuma e parave ishte marrë nga familjarët e një pacienteje, për shërbimet ndaj nënës së tyre, që ishte e shtruar në spitalin Covid-2, e cila humbi jetën pas 28 ditësh luftë më këtë sëmundje. Pamjet e transmetuara nga emisioni “Stop” tregonin rrëfimin e vajzës së të ndjerës dhe mesazhet që shkëmbente me sanitaren, e cila prezantohej si infermiere.
Për këtë rast reagoi edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila e ka shkarkuar sanitaren dhe kërkon hetimin deri në fund të këtij rasti. Vetë stafi i spitalit “Shefqet Ndroqi” e ka cilësuar si çnjerëzor veprimin e sanitares dhe siguron qytetarët që shërbimi mjekësor do të ofrohet me përkushtim dhe cilësi.