Mozarti, Bethoveni,  Bahu, Shopeni dhe tallava-ja

Nga Ilir Muharremi/ Një rrëmujë natyrore arrin nga vetja të nxjerrë nota të privilegjuara, pastaj të kënaq shpirtin ndjeshëm. Bota nuk mund të ekziston e heshtur, dhe heshtja më absolute ripërsërit prapë notat e njëjta, por ato vibrime njeriu nuk mund t’i kap. Njeriut i intereson të hyjë në botën e muzikës. Që në hyrje gjejmë mahnitje, sepse duhet të duket si vend i mrekullueshëm, ndonëse edhe i largët, i panjohur, labirint dhe tingulli humbet e nuk kapet. Ky vend i mbushur me shpirt, plot banalitet, i pa fytyrë nuk duhet të mbushet shumë me krem, por të çlirohet ndjenja, sepse vetvetiu krijon lidhshmërinë. Ndonëse muzika përshkruese (imitimi i realitetit) arrin efektin kur imiton çdo pjesë të natyrës, dhe kjo është formë e lehtë e artit, mirëpo nuk mjafton me kaq, nevojitet thirrja e instinktit të veprojë.

     Muzika nuk di të vendosë ligje (fjala për muzikantët), atëherë jemi larg parimeve, dhe muzikantët qeshin me rregullat e Kantit, Shopenhauerit, Camusit…. Konceptet bazë ndodhen para një vështirësie të madhe, sepse mungon mjeshtëria, absolutja, dhe muzikantët verbërisht nuhatin vetëm sipërfaqen e vlerave dhe thirren në atë se kryesorja neve na pëlqen. A duhet të jetë e mirë ajo që na pëlqen vetëm neve? Natyrisht, por muzika duhet të jetë pro muzikës dhe tenton të bëjë hap pro unitetit. Bethoveni qe pro muzikës, nuk e pikturoj muzikën, e as nuk qe poet i saj. Poashtu edhe Mozarti dëgjoj ndjenjat e bukura, dhe shpirtrat e ngritur dhe konvertoj për vete tërë njerëzimin. Njeriu të konvertohet i tëri në muzikë, duhet ta ketë ndërgjegjen për artin. Duhet të vuash (vuajtja këtu ja heq shijen gëzimit, por muzika çliron edhe trupin përmes ritmit, sido që të jetë ndikon te njeriu pamendueshëm, jo si piktura, skulptura, drama…..) Pianon duhet ta digjesh nga dëshpërimi, ta martirizosh deri në atë shkallë sa nga thellësia përveç dëshpërimit të çlirohet tërësisht shpirtit(kërkohet ndarja nga trupi, gjë të cilën nuk e bëri as Mozarti, Bethoveni aq më pak Vagneri.) Nuk duhet t’ju nënshtrohesh vetëm forcave elementare sepse do t’i ngjash gruas e cila i nënshtrohet vullnetit atij që e bënë për vete. Muzika duhet të ketë gjendje shpirtërore, jo vetëm lëvizje dhe ngjyrë të tingujve të orkestrës, apo ritëm. Dëgjuesi thellësisht duhet të arrijë ekstazën të duket sikur një somnambul. Duhet pak të flihet me muzikë.

    Mozarti– plot dashuri, i butë frymëzimin nuk e gjen tek muzika ose duke e  dëgjuar atë, por te jeta (nuk ka gjë më të fuqishme se jeta, kështu vepruan edhe piktorët, shkrimtarët dhe dramaturgët e mëdhenj.)

    Bethoveni Romantik i parë, i pafajshëm në krijimin e tingujve, secilën herë kur dëgjohet fragmenti duket sikur ndodh nga e papritura. Ky qëndron mbi muzikën. Grumbullon si një bletë tek frymëzimet e lypsave, fëmijëve endacak dhe  emigrantëve.

    Bahu – I dhënë pas krishterimit, ndonëse në muzikën e tij duket edhe i gjallë. Ka modernitet, por sytë i shkojnë kah mesjeta. Dëgjohen të gjitha mënyrat e fugës. Dëgjuesi duhet të jetë njohës i mirë. Kështu mund ta provon gjendjen shpirtërore.

   Shopeni –  Qetësi dhe shumë gjendje shpirtërore, ky është çasti më i bekuar në veprën e tij. Artistët e fortë e godasin këtë çast. Turmën afër plazhit, turmat e zhurmshme, kaq bukur i përkthejë Shopeni saqë secili mund të gjen kënaqësi duke u zhytur me një varkë gjatë natës nën ndriçimin e hënës. Shopeni si piktori Rafael kishte shumë fisnikëri.

     A është dobësuar muzika në kohën tonë? Muzika dobësohet nëse dobësohet ideja dhe për çfarë ide muzikantësh të sotëm mund të flasim? Për kombinime historike dhe krijime të kopjuara. (me Mozartin, Bethovenin, Vagnerin, Strausin, Bahun, Vivaldin ka vdekur muzika. Ndikuan në mbi të mëvonshmen muzikë.) Kjo e sotmja është kopje e zbehtë, nuk është as dramatike, (dramatikja arrin te absurdi, është pak e keqe, ndjenja përdoret si zëvendësim atëherë kur nuk arrihet intelektualizmi ose lumturia) romantike, komike dhe nuk ka formë. Ende nuk është gjetur mundësia e  ndërtimit të muzikës me vlerë pavarësisht dramaticitetit, ose ritmit. Muzika e sotme instrumentalizohet si bordelo. Kjo epokë është skeptike sa i përket muzikës. Mbyllja e syve më nuk është e mjaftueshme. Muzika e sinqertë të kthen në fëmijëri, aty ku e ke dëgjuar për herë të parë, nga kjo fëmijëri ti pretë edhe në operat e ndryshme qofshin italiane, ose rok, pop, balada, tekno….. Kjo arrin sentimentalitetin. Mjafton gjuha e së shkuarës sonë, muzika bëhet e mrekullueshme. Çdo muzikë e vjetër bëhet më e mirë, kurse ajo e lindura më pak vlerë, sepse nuk zgjon kënaqësi nga ajo që u tha.

      Muzika tallava është bërë shumë e suksesshme në tregun tonë. Kjo muzikë është banale, vulgare, e pistë dhe e ndytë për veshin. Në Kosovë njerëzit mendojnë tallava, flasin tallava, hanë e pinë tallava, e bëjnë mutin tallave, flasin muhabete tallava edhe jetojnë krejt tallava. Kjo muzikë është kancer dhe gangrenë për muzikën me vlerë. Kjo muzikë nuk është e kapshme as në dëgjimin e parë e as në atë të fundit, ose të ripërsëritur. Ne kemi popull dhe publikë tallava, janë përkundur në djep tallava (Mozartin, Bethovenin,  Bahun, Shopenin..), e shinin si Ufo edhe sot e shohin si Ufo. Çfarë lidhet kjo muzikë me realitetin shqiptar? Dashurinë. Të dashurosh tallava dhe të vdesësh për dashurinë tallava. Kjo. Dashuria tejkalon tallavanë, veçanërisht ajo në libra. Kjo muzikë më shumë i atribuohet ashkalinjëve të Kosovës, dhe si shprehje është e romëve “tel o vas” që përkthehet “nën dorë”, ose “poshtë dorës”, që lidhet me një valle rome e quajtur: cocek. Gjatë kësaj valle duart lëvizin shumë me delikates. Ritmi i tallavës është i njëjtë përsëritës, është muzikë minimaliste, ngjashëm me disco music. Pastaj, i vishet një solist, i cili vetëm improvizon, ka vokal hundor, dhe ngjanë më shumë me traditat indiane sesa ato arabe. Tekstet e tallavasë janë në formë proteste, shfaqin gjendjen e vështirë të  jetës, dhunës, varfërisë, dashurisë,  jetës sociale…. Është argëtim kolektiv. P.sh “O turbo talave o hajde, o me Xhavitin ore, hajde ta kallim”. Këngëtari i drejtohet publikut, në fillim përmend emra individësh, dikur përfshirë edhe veten, pastaj vazhdon me qytetet e Kosovës, Maqedonisë,  përmend edhe Mitrovicën. Kjo formë e argëtimit të ulët, është e prapambetur dhe shumë provinciale. Populli i Kosovës vdesë pas kësaj muzike, madje në dasma dominon. Kjo muzikë me mushkëritë e saja shkatërron nervat. Eliminimi i saj mund të ndodh vetëm nëse ndalohet, ose nuk përcjellët te brezat e ardhshëm. Brezat e sotëm janë kokë e këmbë tallava.

Tekstet tallava nuk shkruhen nga shkrimtarët e mbyllur në bodrume, të dehur, ose boemë, por nga servilët popullor, e masa edukon artistin, kurse duhet e kundërta, artisti ta edukoj masën. Nëse kjo është shije e popullit tonë, atëherë po vdesë muzika e mirëfilltë. Populli kosovar jeton pranë dijes në të cilën ndodhet padituria e errët. Për këtë fajësoj ish sistemin, por edhe prindërit e paarsimuar.  Sa gjysmakë është  çështja e shpirtit të popullit kosovar. Duhet ta lejojmë shpirtin të rrëshqas vetë në muzikën e mirëfilltë, të jemi me ngulmim të ashpër, të shtrënguar , të palëkundur për eliminimin e antivlerës tallave. Një herë përnjëherë është e pamundur sepse vetë ky popull është tallava.

SHKARKO APP