MPJ: Jemi të zhgënjyer nga veprimet e Serbisë

“Jemi të zhgënjyer nga veprimet e autoriteteve serbe, që paragjykojnë vullnetin e mirë e të plotë të Autoriteteve shqiptare për mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit dhe ndarjen e sportit nga politika. Komunikimi i papërshtatshëm nga Ministria e Punëve të Jashtme serbe me përfaqësuesin e Republikës së Shqipërisë në Serbi, është një reagim jo-proporcional”.

Ky ka qenë reagimi i ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë lidhur me masën e marrë nga qeveria serbe ndaj ambasadorit tonë në Serbi.

“Reagime të tilla, si dhe leximi arbitrar i imuniteteve dhe privilegjeve të diplomatëve, shkojnë përtej rregullave të gjithë-pranuara të së drejtës ndërkombëtare dhe na kujtojnë praktika të tejkaluara. Kjo është dita e sportit dhe e lojës së ndershme.

Kjo është dita që çeli me takimin historik të studentëve serbë e shqiptarë në Tiranë, që tregon se gjenerata e re e dy vendeve tona sheh përpara drejt vlerave evropiane dhe i ka lënë pas makthet e së shkuarës”, tha zëdhënësi i MPJ-së, Glevin Dervishi.

 

SHKARKO APP