Muaji i Ramazanit nis të enjten! Zyrtari i KMSH: Ky muaj është i bekuar, nuk është për dietë
Të enjten e 23 Marsit besimtarët myslimanë nisim muajin e bekuar të Ramazanit. Ky muaj i cili është më i bekuari në kalendarin islam, për drejtorin e kulturës në KMSH, Dorian Demetja jep si shpërblim për besimtarët pastrimin shpirtëror dhe ruajtjen e vlerave morale. Teksa tregon rregullat e agjërimit Demetja tregon se ky muaj nuk është mirë të shërbejë si dietë dobësimi, por si mision për të zbukuruar sjelljen e individit.
“Çdo adhurim që kryhet kërkon në radhë të parë besimin. Pra një person duhet të besoj pastaj duhet të adhuroj. E them këtë se mund të kemi raste te njerëzit që kanë dëshirë të agjerojnë agjërojnë ose kanë dëshirë të bëjnë diçka akoma pa e ditur për çfarë bëhet. Janë disa persona që thonë që mbajnë agjërim për dietë, por agjërimi nuk mbahet për dietë. Ne e mbajmë sepse është një urdhër i Zotit, pastaj ka të mira shëndetësore e shoqërore është dhuratë nga i madhi Zot që i jep të agjëruarit”.
Muaji i Ramazanit përfundon më 20 Prill ndërsa nata e Kadrit këtë vit është në datën 17 Prill. Falja e Bajramit në datë 21 Prill pritet të bëhet edhe këtë vit në sheshin Skënderbej ku festa do të jetë e dyfishtë pasi Komuniteti mysliman në Shqipëri feston 100 vjetorin e themelimit.