Murati: Siç dimë kur Rama shkon në ndonjë fshat të humbur dhe pi dhallë, duhet të dimë dhe kur flet në telefon me Ministrin grek
Negociatat midis Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufijve detarë do të rifillojnë së shpejti.
Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias do të vizitojë së shpejti Tiranën për të diskutuar marrëveshjen me qeverinë shqiptare.
Ndërkohë, gjatë një debati parlamentar, kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se Greqia synon të zgjerojë ujërat e saj territoriale në Detin Jon nga 6 në 12 milje.
Gazetari, Erl Murati, thotë se edhe pse ende nuk ka një draft konkret kjo është një aspiratë e hershme e Greqisë.
Erl Murati: Kryeministri grek gjatë debateve në parlament për ratifikimin e dy marrëveshjeve me LIbinë dhe Italinë ka paralajmëruar se do të zgjerohen 12 milje në detin Jon dhe së shpejti do të ketë një vizitë të Ministrit të Jashtëm grek në Tiranë për këtë çështje. Nuk kemi një draft akoma por vetëm një deklaratë publike.
Kjo është një aspiratë e hershme e Greqisë për të zgjeruar detin nga 6 milje në 12 milje. Nëse kjo bëhet në zbatimin të Konventës së të Drejtës së Detit, teorikisht do të duhet të kishte implikime me vendet kufitare.Konventa sanksionon se çdo shtet ka të drejtë ta shtrirë detin e tij territorial deri në 12 milje nga bregu. Këtë ka bërë Shqipëria në 1970.Problemi me Greqinë është se ka një implikim specifik në detin Egje, jo në Adriatik.Ka një rezolutë të parlamentit turk të 1995 që sanksionon shprehimisht që nëse Greqia do të shpallë detin territorial 12 milje do të nisë lufta.
Por deklaratat e kryeministrit grek mbi zgjerimin e kufijve detare duket se shkojnë përtej Shqipërisë.
Erl Murati: Ky është një implikim jo thjesht dypalësh mes Greqisë dhe Shqipërisë por shumëpalësh, përfshin edhe Italinë por sidomos Turqinë që është në një moment tensioni mjaft të madh në detin Egje.Të gjithë ekspertët ndërkombëtarë thonë se nëse në detin Egje, Greqia do të shtrihet 12 milje, ajo do të zotërojë 79% të Egjeut lindor dhe sipas pretendimeve të palës turke Egjeu lindor do të shndërrohej në një liqen grek. Ky është gjithë konflikti dhe përplasja midis palëve.Nuk besoj se Greqia do të guxojë të shkojë deri në këtë pikë.Por shtrirja në Jon nga 6 në 12 milje sjell implikime me qeverinë turke por nuk duhet të na lërë dhe ne indiferent.Nëse zbatohet Konventa e të Drejtës së Detit Greqia ka të drejtë ta shtrijë detin territorial atëherë kur distanca është më e madhe se 24 milje midis dy brigjeve. Nëse distanca është më e vogël atëherë nevojitet një marrëveshje.Brandaj është bërë gjithë kjo zhurmë gjatë dekadës së fundit.
Për Rtv Ora, Murati thotë se ka mungesë informacioni mbi marrëveshjet e nënshkruara me Greqinë.
Erl Murati: Saherë ka çështje të ndjeshme të marrëdhënieve dypalëshe qoftë me Greqinë apo shtete të tjera, ne i marrim vesh nga mediat e huaja. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese sanksionon që caktimi i kufijve detarë, i zonës ekskluzive ekonomike dhe të shelfit kontinental duhet bërë në mënyrë të ndershme. Është një problem i koklavitur jo thjesht në kufirin shqiptaro-grek, por shikoni dhe tensionet mes Greqisë dhe Turqisë për shkak se ishujt grekë shtrihen thellë pranë gjireve të vendeve të tjera. Ishuj pranë Korfuzit janë shumë pranë territorit shqiptar dhe quhen territor grek.
Në këtë linjë shkon edhe telefonata e kryeministrit Rama me kryediplomatin grek që u zbulua vetëm nga ky i fundit.
Erl Murati: Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edi Rama dhe zëvendësministri Gent Cakaj duhet të bëjnë transparencë. Nuk pretendojmë të dimë detajet e marrëveshjes hap pas hapi, por veprimet diplomatike duhet ti marrim vesh. Nëse kryeministri shkon në një fshat të humbur të Shqipërisë dhe pi dhallë me ata fshatarët aty po kështu ne duhet ta dimë kur ai ose vartësit e tij kanë folur në telefon me homologët e shteteve fqinje.
Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma