Murgesha: U ula në tokë, i shkrova miqve sms lamtumire
Tragjedia në Itali, me një bilanc fatal për qytezën Amatrice, ka histori jetësore, se si banorët shpëtuan nga gërmadhat. E tillë është dhe historia e Motër Mariana, një murgeshë shqiptare që shpëtoi e mbijetoi nga rrëonjat e tërmetit të tmerrshëm që goditi Italinë Qendrore.
Në një rrëfim prekës dhe në një gjendje të rëndë emocionale, ajo tregoi për mediat italiane, pas tragjedisë, detaje se si arriti të dilte e gjallë nga rrënojat e tërmetit.
Për fatin e mirë, ka qenë zhurma ajo që e ka zgjuar, atë dhe që ka mundur të reagojë. Ajo shton se: “Unë kam qenë në katin e fundit, në të tretën. U përpoqa të dal nga dhoma, pastaj u ktheva përsëri në shtëpi. U fsheha nën krevat dhe dëgjova zërin e një djali i cili kishte dëgjuar britmat e mia për ndihmë. Ai më shpëtoi”.
“Jeta ime ishte e rrezikuar po të mos më shpëtonte Zoti. Ai bëri një akt heroik dhe do ta shpërblej për këtë”, tha 32 vjeçarja, e cila ishte në manastirin e saj “Don Minozzi” me pushime.
Ajo thotë se pasi e humbi shpresën se do të shpëtonte e gjallë, nisi t’u shkruante mesazhe lamtumire miqve të saj.
“Rreth orës 4 të mëngjesit ndjeva se kishte diçka që nuk shkonte dhe kur e kuptova dola nga dhoma për të kërkuar ndihmë. Gjeta një tjetër derë, gjithçka ishte shkatërruar. U futa nën shtrat sepse binin gjëra nga lart. Më pas dola për të kërkuar ndihmë, por askush nuk përgjigjej. Fillova ta humb shpresën se do të shpëtoja. Nisa t’u shkruaj mesazhe miqve ku u kërkoja të luteshin për shpirtin tim dhe u thosha lamtumirën e fundit. Nuk munda ta bëj këtë me familjarët e mi sepse kisha frikë. Kisha frikë se tim ati mund t’i pushonte zemra nga një lajm i tillë. Pasi e humba shpresën se do të shpëtoja, u dorëzova dhe nisa të mendoja se do të vdisja, por nuk mund t’u thosha njerëzve të dashur se do të vdes”, tregon ajo.
Motër Mariana rrëfen se u shpëtua nga një djalë i ri, i cili e ndihmoi të dilte nga rrënojat. Për t’u qetësuar, ai i afroi një karrige ku mund të ulej, por ajo thotë se nuk ndihej e sigurt askund tjetër përveçse e ulur në tokë.
“Pasi shpëtova u rishkrova miqve që u kisha dhënë lamtumirën dhe u thashë se jam mirë”, tregon ajo momentin kur edhe është fotografuar.
KOHA JONË SONDAZH

