Mustafa Lici: Djali im nuk ka lidhje me Endrin, blofi i policisë do të dështojë
Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit, i shpallur në kërkim për vrasjen e Endrit Mustafës, ka mohuar përfshirjen e të birit në ngjarjen e Shkodrës. Duke e konsideruar një blof të policisë me dëshmitar të rremë, në një prononcim për mediat ai thotë se ka prova që provojnë të kundërtën.
”Sot jetojmë në epokën e horrave dhe vagabondëve kriminelë, ordinerë. U dha një lajm mbrëmë dhe u shpall në kërkim Ibrahim Lici për vrasjen e një komshisë tonë këtu. Bashkëpunëtor i autorit në krim është një fëmijë i mitur me grupin e Astmer Bilalit dhe Bajrit. Punon pastrues i bajgave të kuajve të Astmer Bilalit tash tre vjet.
I mituri u ka marrë përsipër të deklarojë një bashkëpunim sikur ka kryer një krim me Ibrahim Licin. Por Ibrahim Lici dhe familja jonë është një familje që qëndron e mbrojtur nga këta kriminelë duke jetuar nën kamera kudo që rrinë, kudo që hanë, kudo që pinë.
Ky është një blof i përgatitur nga policia për të cilin mendojnë se do ta realizojnë duke i dhënë prioritet një fëmijë, duke e gënjyer se ke mbrojtje dhe do ikësh jashtë, ke dhe kapar. Është blof i radhës që do të dështojë. Po ky drejtor policie me datë 17 të muajit të kaluar e ka hequr personin nga kërkimi, kishte dy vjet që e mbante. Tani e shpalli përsëri në kërkim me këtë metodë. I njëjti krim ndodhi në Livade vitet e kaluara.
Dhe aty ka fol i vëllai se ka qenë Ibrahim Lici duke vrarë. Janë punonjës të tyre. Fati jonë dhe mbrojtja jonë vetëm kamerat. Ky blof është thjesht mediatik dhe nuk do të ketë asgjë më tepër. Këta shërbëtorë që i marrin dhe përdorin janë të dy pastrues bajgash te Astmer Bilali dhe bajgat. Merren me kuaj dhe jetojnë me praninë e tyre”.
KOHA JONË SONDAZH

