Mustafa Nano: Rama ti thërrasë mendjes, është shkëputur nga realiteti

Nga Mustafa Nano

Nuk ka diskutim që kjo taksa e rrugës së kombit është një gjë e pamenduar. Nuk është taksa vetë që të nervozon. Është niveli i taksës. Pesë euro për një kalim në autostradë është një gjë që xhepi i shumë shqiptarëve e ndjen. Kam përshtypjen se Edi Rama është i shkëputur nga jeta reale e vendit, dhe as që e ka idenë se 5 apo 10 euro në ditë janë diçka me rëndësi në buxhetin e mijëra familjeve shqiptare. E sidomos për buxhetin e shumicës së familjeve të Kukësit, për të cilat 10 euro në ditë janë një karar i madh, në mos janë diçka afër luksit. Dikush duhet ta informojë atë se shqiptarët janë duke jetuar kohë të vështira në planin ekonomik. Rritja vjetore ekonomike prej 4%, nëse është e vërtetë, është një rritje e mirë (duke pasur parasysh se si e mori ai Shqipërinë para pesë vitesh), por kjo rritje, me sistemin e shpërndarjes së pasurisë kombëtare që ai ka ngritur, shkon mbi të gjitha te të kamurit. Të skamurit nuk ia shohin hairin kësaj rritjeje. Kryeministri mund ta injorojë këtë gjë në publik si broçkull a mitologji kazani, por është ai i pari që e di këtë të vërtetë.

Shkurt, kritika që i bëhet në këtë plan nuk ka të sharë. Kryeministri duhet t’i thërrasë mendjes, e duket se po i thërret. Për këtë rast. Dje dhe pardje tregoi shenja hapjeje. Por me hapjen e vet ai duhet të shkojë edhe më tej. Ai duhet ta ulë këtë taksë në nivele të përballueshme. Protestën mund ta anatemojë gjithë ditën si protestë të organizuar nga opozita apo si protestë vandalësh (ishte e tillë, në fakt), por problemi mbetet.

Dhjetë euro (pse euro xhanëm? Pse u dashka vënë një taksë në euro në një kohë që i gjithë sistemi ynë financiar është i ngritur mbi lekun?) janë shumë për të bërë një herë të vetme rrugën Tiranë-Kukës, e kthim. Janë shumë edhe për ata që këtë rrugë e bëjnë rrallë. Kjo taksë, me këtë vlerë, i ikën logjikës së gjërave në këtë Shqipëri të varfër. Me 10 euro, 70% e shqiptarëve mund të hanë dy paçe plënci e dy pilafë (Një vlerësim i tillë i fuqisë blerëse, me plënc e me paçe, mund të ketë i kuptueshëm për këtë kryeministër).

Por në gjithë këtë që po ndodh të tërheq vëmendjen edhe diçka tjetër. Protesta e Kukësit ka shërbyer aty për aty si një viagra për shumë njerëz impotentë (në kuptimin politik) në Shqipëri. E para fare është kapur pas kësaj proteste opozita. E cila është edhe organizatore e saj. Duket sheshit që është organizatore. Dhe nuk ka ndonjë të keqe në këtë mes. E keqja është kur protesta bëhet e dhunshme, dhe një opozite nuk i ka hije të njëjtësohet me protestues të dhunshëm, që djegin e shkatërrojnë.

Ky është ngërçi i Bashës. Por dhuna i ka pëlqyer, sidoqoftë. Ai dhe të vetët janë të kapur nga një eksitim i veçantë këto ditë. Kjo protestë, apo edhe protesta të tjera të ngjashme, d.m.th. të dhunshme, së pari, e lënë në hije debatin që ka shpërthyer brenda PD-së, dhe së dyti, e bëjnë opozitën të pranishme në debatin publik. Kjo ishte hera e parë, qysh prej çadrës në bulevard, që opozita po bën sikur del prej reanimacionit. Me sa duket, ajo nuk di ndryshe të bëhet e gjallë. Ajo nuk ka motivim tjetër. Dhe kjo, le ta themi troç, është shenjë se opozita ka vdekur. Nuk mund të jetë ndryshe një opozitë që e var fatin e vet te dyqind protestues në periferi të vendit. Po u fik “zjarri i Kukësit” (dhe do të fiket, nuk ka se si të ndodhë ndryshe), opozita do fiket prapë. Ja, kjo është opozita e Shqipërisë.

Por Kukësi ka eksituar edhe shumë të tjerë, mes tyre gazetarë e publicistë. Një numër syresh e trajtuan shpërthimin në hyrjen e tunelit të Kalimashit, ku u thyen e shkallmuan ca objekte, si pushtimin e Bastijës para shpërthimit të revolucionit francez në fund të shekullit XVIII. Është harxhuar shumë frymëzim poetik këto ditë në adresë të kuksianëve. Dhe ka qenë dhuna që u ka pëlqyer, jo vetë kuksianët. Sikur kuksianët ta ndalin dhunën, do ta shohin se askush nuk do kujtohet më për këta heronj të papritur të këtyre kohëve të mërzitshme e monotone këtyre anëve, apo – për ta vijuar edhe pak paralelen idiote me revolucionin francez – për këta sans-culottes të mjerë. Ishin të panumërta teprimet poetike, që synonin të ledhatonin sedrën e kuksianëve, këto ditë.

Dikush foli dje si në jerm për “Shën Bartolomeun kuksian”. “Malësorët nuk janë vandalë”, ia bënte një tjetër, duke pasur në mendje një përfytyrim rapsodik për malësorin. Një i tretë kish gjetur të thoshte se “me termin ‘vandalë’, kryeministri që urren Zotin ka blasfemuar sot, në ditën e Pashkëve; në vend të urimeve, u dërgoi mallkime kuksianëve”. Dhe po ky përmendte Kukësin si qytet kandidat për çmimin Nobel. Një kolegu im, A. Bushati, fliste për “kuksianët që i morën frymën Ramës”.

Pastaj, disa “poezi” iu kushtuan edhe dhunës. Një koleg tjetër, A. Zheji, në reagimin e vet në të nxehtë, bënte sikur dhunën e ka zët, por pastaj thoshte: “Me pronarin arrogant të Tepsisë-Shqipëri, nuk ka rrugë tjetër për t’i hequr nga duart hanxharin që ndan llokmat fitimprurëse të Dashit-Pasuri Kombëtare, këtij anadollaku ortodoks-katolik dhe frankofon, përveçse me një ‘kryengritje’ kuksiane. Si dhe u dërmua edhe ngrehina presidenciale e Berishës së parë, nga kryengritja vlonjate në vitin ‘97”.

Te Lapsi.al, gjithashtu në të nxehtë, u publikua një raport i fortë, në të cilin shkruhej mes të tjerash: “Flaka që u vu sot në traun e pagesave pranë tunelit është e njëjtë me zjarrin që mund t’u vihet laboratorëve ku bëhet Check Up-i, me sulmin që mund t’u bëhet kullave që po ngrihen si partneritet publik privat mbi toka shtetërore, me goditjen që mund t’u bëhet investimeve strategjike që grabisin trojet e bregdetit, me dinamitimin që mund të pësojnë objektet që po ndërtohen mbi rrënojat e trashëgimisë mijëravjeçare të vendit. Nëse pushteti vazhdon në këtë rrugë edhe këto nuk do të jetë çudi që të ndodhin.

Por asnjëri nga ata që do ta marrë këtë guxim nuk mund të konsiderohet si dhunues, por si mbrojtës i një pasurie publike që po e grabisin për ditë Edi Rama me 5-6 oligarkë”.

Mark Marku, që nuk para shquhet për pulsione dhune, e kish mbyllur shkrimin e tij në mënyrë elokuente: “[Nëse Rama nuk heq dorë prej arrogancës], skena të tilla me tym e flakë do t’i shohim më të shpeshta në ditët e ardhshme”.

Siç mund ta keni vënë re të gjithë, dhuna ka qenë lajtmotivi i pothuaj të gjitha qëndrimeve publike të atyre njerëzve që i kanë hesapet të ndara me këtë mazhorancë. Është dukur sikur Kukësi i ka ftilluar, u ka hapur sytë, dhe u ka treguar rrugën e së vërtetës: Dhuna, dhuna, e vetëm dhuna, e shpëton vendin. Mes njerëzve të dëshpëruar, janë edhe këta intelektualë publikë, të cilët kanë arsyet e tyre ta urrejnë Ramën.

E kanë urryer qysh herët, ndonjëri qysh në krye të herës, dhe e urrejnë ca më shumë tani, që u ngjan me një kryeministër të përjetshëm. I kanë bërë përpjekjet e tyre që ta rrëzojnë. Kanë bërë çmos ta shtyjnë opozitën që të konfrontohet haptazi me Ramën, madje dhe në mënyrë të dhunshme. Por nuk ia kanë arritur dot qëllimit. Dhe fajin për këtë ia kanë hedhur opozitës së Bashës. Tek e cila nuk kanë më besim. Mirëpo Edi Ramën vijojnë ta urrejnë, dhe në këto kushte, ca njerëz të dhunshëm që djegin e shkallmojnë, janë heronjtë e tyre.

Mirëpo, nuk është kjo rruga. Në ka një gjë që këtij vendi nuk i duhet, kjo është dhuna. Nuk na duhet dhuna në asnjë lloj kuptimi. As atyre që e frymëzojnë, nuk iu duhet. E nuk kanë për t’ia parë hairin. Çdo dhunë që ushtrohet këtej nga anët tona është provë se ky vend nuk di të bëjë gjë tjetër, veçse harakiri. Një apel kam për qejflinjtë e dhunës: “Nëse Edi Rama nuk ua mbush mendjen, nëse e urreni, bëni atë që duhet bërë. Bëni gati opozitën.

Në momentin që opozita do të jetë gati, Edi Rama bie menjëherë. Nëse opozita nuk ka për t’u bërë gati (dhe ju nuk po bëni asgjë që ajo të jetë gati), Edi Ramën do ta keni gjatë në zyrën e katit dytë të asaj godinës buzë bulevardit, mes Piramidës e hotel Rognerit. Me dhunë nuk vihet kurrë në pushtet, e me dhunë nuk mbahet kurrë pushteti. Kjo është më e para gjë që mësohet në manualet politike të botës. Kjo është më e para gjë që neve na ka mësuar edhe historia jonë e tridhjetë viteve të fundit”. Mapo.al

SHKARKO APP