Na qëlluan në breshëri nga të gjitha drejtimet pa ansnjë mëshirë

 
I plagosuri i RENEA, Jetmir Isaj ka rrëfyer në detaje momentet kur furgoni në të cilin ndodhej ai dhe kolegu Ibrahim Basha, që mbeti i vrarë, u sulmua në Lazarat. “Na qëllonin nga të gjitha drejtimet, me të gjitha llojet e armëve” është shprehur, teksa ka përshkruar minutat kur forcat RENEA u gjendën në mes të zjarrit. Duke folur për median GSH ai thotë se në sulmin kundër tyre janë përdorur armë të ndryshme.
 
Jetmir, çfarë ndodhi në Lazarat?
Ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. As ne vetë nuk e dimë se si ndodhi kjo dhe akoma nuk jemi shumë të qartë se çfarë ka ndodhur.
 
Kur e morët urdhrin për t’u nisur për Lazarat?
Ne morëm urdhrin që duhej të ishim në Lazarat për shkak të një operacioni që kishte filluar me forcat e tjera policore dhe ishte kërkuar ndërhyrja e RENEA-s. Shkuam në Lazarat, pasi kishte dyshime se persona të armatosur lëviznin në fshat.
 
Sa makina policie u futët në Lazarat?
Kishim para dy autoblinda dhe ne ishim pas, diku afër zonës sëpularisë u qëlluam.
 
Ku ishit ulur në momentin që u qëlluat? Keni qenë para apo në pjesën e pasme të makinës?
Unë kam qenë në pjesën e pasme të makinës,se po të isha para, nuk do isha këtu tani. Ibrahimi ka qenë i ulur para dhe ne të tjerët ishim pas në momentin që u qëlluam. Mendoj se për shkak të relievit, personat që na qëllonin na kishin në kontroll dhe për këtë i shikonin makinat dhe lëvizjet tona.
 
Në momentin që ju qëlluan, juve ishit në makinë, apo ishit duke zbritur nga makina?
Ne nuk kishim zbritur akoma, sepse kishim shkuar të merrnim një të ri që ishte kapur me armë. Jemi qëlluar brenda makinës, Ibrahimi u qëllua në ballë, edhe pse kaskën e ka pasur, ai nuk mundi t’u shpëtonte plagëve që kishte marrë. Ndërsa unë dhe Perlati kemi shpëtuar vetëm nga kaska, pasi nuk lejoi që plumbi të na prekte.
 
Po Ibrahimi nuk e kishte kaskën?
Po, e kishte. Por mendoj se ndoshta e ka pasur pak të ngritur ose për shkak se ka qenë në vend të parë, fuqia ka qenë më e madhe dhe predha ka depërtuar brenda kaskës.
 
Nga cili drejtim ju qëllonin, a kishit mundësi që të kuptonit nëse grupi i zjarrit ishte anash apo përballë?
Neve na qëlluan nga të gjitha drejtimet dhe nuk e kuptuam se çfarë po ndodhte. Nuk e dinim se nga na vinin plumbat, sepse na qëllonin nga të gjitha drejtimet, anash, përballë, na qëllonin pa pushim, me breshëri.
 
Ju qëlluan nga një distancë e afërt apo e largët?
Nuk di të them me saktësi distancën prej nga grupi na qëllonte, por di të them se na qëllonin edhe nga distancë që na dukej se ishte shumë pranë nesh, edhe nga distancë e largët. E keqja ishte se nuk arrinim t’i shikonim personat që na qëllonin, ndërsa ata na shikonin neve.
 
Me çfarë ju qëlluan, me snajperë apo edhe me armë të tjera?
Na kanë qëlluar me të gjitha llojet e armatimeve, me automatikë, snajperë. Në momentin që po qëlloheshim, nuk dinim se çfarë të bënim, sepse e kuptuam se kishim rënë në pritë, nuk e dinim as kush ishte qëlluar nga ne, pamë vetëm kur Ibrahimi u qëllua para syve tanë. Por, pasi zumë pozicionet tona dhe zbritëm nga fugoni i policisë, lajmëruam për atë që kishte ndodhur.
 
Jetmir, sa kohë keni që jenë pjesë e RENEA-s?
Unë kam 8 vjet që jam pjesë e këtij reparti dhe në Lazarat kam qenë edhe në operacionin e vjetshëm dhe e njoh mirë relievin e asaj zone.
 

SHKARKO APP