Naço: Mark Frroku nuk është kriminel

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, nuk e ka pritur mirë faktin se një anëtar i KLD-së, Artan Broci, i ka kujtuar atij se firmëtar i nismës për reformën në drejtësi ishte edhe Mark Frroku, deputeti i mazhorancës që gjendet në burg nën akuzën për vrasje.

Në mbledhjen e KLD-së pati debate edhe mbi këtë çështje, kur Broci tha se qeveria e kishte ndërmarrë këtë nismë me kriminelë.

Ministri Naço i ka thënë Brocit se nuk mund ta quajë Frrokun kriminel, pasi ai nuk ishte dënuar ende.

Faleminderit! Një kujtesë për parafolësin. Për sa kohë ka një akuzë dhe pandehet, nuk besoj që do të ketë etiketime… Po të lexosh nenin 34 të Kodit të Procedurës, kupton, ai pandehet deri në dhënien e një vendimi”, tha Ministri i Drejtësisë.

I irrituar me këtë qëndrim të Ministrit të Drejtësisë që i doli në mbrojtje një deputeti që gjendet në burg për dy vepra penale, edhe atë të kallëzimit të rremë në çështjen Doshi, anëtari i KLD-së reagoi duke i thënë se prezumimin e pafajësisë, Naço duhet t’ia kërkonte kryeministrit Rama.

Kërkoja shefit tënd atë prezumimin e pafajësisë, se i quan gjyqtarët banditë. Gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë! Kjo është e turpshme. Banditët i ke aty brenda. Deputetë të akuzuar për vrasje”.

Ministri Naço i kërkoi Brocit t’i përmendte emrin deputetit, njësoj siç veproi deputetja Ota Xhaçka në parlament me deputetin Gent Strazimiri, çka çoi në goditjen e tij nga deputetët e PS –së, Arben Ndoka e Pjerin Ndreu.

Po përmendi edhe emrin”, tha Naço, teksa Broci u përgjigj: “Mark Frroku, zotëri. S’ta kam arrestuar unë. Dhe e ke iniciatorin e ligjit “Për KLD-në”, për ndryshimin e ligjit “Për KLD-në”. S’kam frikë unë të përmend emra.”

Po jo mo, jo, ka një prezumim pafajësie. Unë për ta kujtuar. Për shkak të procesverbalit. Është puna jote. Vëri edhe emrin e gjyshit”, u përgjigj në fund Ministri i Drejtësisë.

SHKARKO APP