Nafta shkon 199 lekë/litër, 40% më e shtrenjtë se gjatë pandemisë. Rritja e tetë në pak muaj

Në pikat e shitjes me pakicë në Tiranë, nafta këtë të premte tregtohej me 199 lekë/litri, së bashku me benzinën. Trendi po vazhdon edhe pse autoriteti i konkurrencës njoftoi se ka vënë në monitorim tregun e hidrokarbureve, për shkak të rritje së menjëhershme të çmimit, që ngjante i koordinuar.

Kjo është rritja e tetë në pak muaj e karburanteve, me çmimin që është 40% më i lartë në krahasim me pandeminë.

Çmimi i karburanteve po sjell edhe inflacionin në ekonomi, pasi çdo qytetar në mirëmbajtje për makinën po harxhon 13% më shumë se një vit më parë, sipas statistikave.

Shqipëria është një nga vendet që naftën e takson më shumë se çdo vend tjetër në Europë dhe rajon. Në çmimin final të produktit sipas përllogaritjeve rreth 104 lekë janë taksa, duke filluar nga akzica që me ndryshimet e reja indeksohet me inflacionin, më pas vjen markimi, taksa e karbonit, qarkullimit dhe mbi këto, së bashku me fitimin e tregtarit vendoset, TVSH-ja.

Banka e Shqipërisë në raportin e saj për inflacionin është shprehur se rritja e çmimeve ka dalë jashtë parashikimeve dhe pritet të vazhdojë përgjatë gjithë vitit. Sipas institucionit këto çmime reflektojnë tregun ndërkombëtar, ku kërkesa është e lartë dhe prodhimi i pakët.

SHKARKO APP