Naim Frashëri, ai nuk ishte thjesht një aktor, ishte një akt i gjallë i artit skenik shqiptar
Nga Albert Vataj
Më 15 gusht 1923, në Leskovikun e lartësuan nga malet dhe historia, u lind një djalë që do të mbante një emër të madh, Naim Frashëri. Ky emër, i ngarkuar me kujtesën e poetit të Rilindjes, do të gjente mishërimin e tij jo në vargje, por në drithërimat e skenës dhe në gjuhën e dritës së kinemasë shqiptare. Ai nuk ishte vetëm një aktor. Ishte një përjetim. Një frymë e gjallë që çdo rol e ktheu në copëz pavdekësie.
Ai nisi të interpretonte kur Shqipëria ishte ende nën hijen e luftës. Në vitin 1942, si nxënës, u ngjit për herë të parë në skenë në dramën “Vilhelm Teli”, duke luajtur një fshatar pranë Sandër Prosit, një tjetër titan i ardhshëm. Dy vite më vonë, teatri partizan i dha skenën, ndërsa batalioni luftarak i dha fushën; Naimi ishte njëherësh aktor dhe luftëtar. Që atëherë, arti dhe përkushtimi u bënë binarët ku do të ecte e gjithë jeta e tij.

Në vitin 1945 ishte mes themeluesve të Teatrit Popullor (më pas Teatri Kombëtar), duke u shndërruar shpejt në një nga shtyllat e tij. Rolin e parë në kinematografi e realizoi më 1953, si Pali në filmin madhështor “Skënderbeu” të Sergei Jutkeviç-it, një bashkëprodhim ruso-shqiptar fitues në Festivalin e Kanës. Jutkeviçi, i magjepsur nga sinqeriteti emocional i Naimit, ndryshoi planin e xhirimit për ta vënë Palin në plan të parë në një nga skenat më të paharrueshme, sepse sytë e Naimit, të mbushur me lot të vërtetë, kishin thënë më shumë se çdo fjalë.

Naim Frashëri nuk ishte vetëm interpretues, por një skulptor i shpirtit të personazhit. Valeri në “Tartufi” i Molière-it, Ferdinandi në “Intrigë dhe dashuri” të Schiller-it, Hamleti shekspirian, Dr. Pellumbi në “Plagë të vjetra”, gjenerali në “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” apo Jonuz Bruga në “Familja e peshkatarit” — secili rol mbante brenda finesën e tij dhe një kod emocional që e dallonte nga çdo aktor tjetër. Diksioni i tij, i krahasuar shpesh me Aleksandër Moisiun, i jepte fjalës një dimension të dytë: atë të tingullit që prek shpirtin.

Vitet ’60-’70 ishin epoka e tij e artë. Ai interpretoi në drama të mëdha sovjetike, tragjedi klasike, komedi të hollë e filma që mbeten në kujtesën e artit shqiptar. Në “Plagë të vjetra” (1968), bashkë me dy korifenj të tjerë, krijoi një nga ansamblet më të fuqishme të aktrimit në historinë e kinemasë shqiptare. Edhe pse shprehu pak rezerva për hapësirën e rolit të tij, rezultati final e bëri krenar.
Ai ishte edhe kronisti i vetvetes. Në ditarët e tij, të mbushur me hollësi të përpikta, ruante datat, orët, emocionet, humbjet dhe fitoret, ftesat e shfaqjeve, fotografitë, kujtimet. Çdo përjetim artistik ishte i shënuar — një arkiv shpirtëror që përbënte një enciklopedi të vogël të historisë së teatrit shqiptar. Për Naimin, kujtesa nuk ishte vetëm nostalgji, por një detyrim moral ndaj artit.
Më 18 shkurt 1975, në moshën 53-vjeçare, u shua një nga yjet më të ndritshëm të skenës shqiptare. Titulli “Artist i Popullit” dhe dekorata “Hero i Punës Socialiste” ishin nderime të mëdha, por lavdia e tij nuk buronte nga medaljet, por nga zemrat e publikut. Ikja e tij e papritur la një boshllëk të madh në teatër e kinematografi. Megjithatë, rolet e tij mbeten si udhërrëfyes për brezat e rinj, një shkollë e gjallë e përkushtimit, ndershmërisë dhe magjisë së aktrimit.
Naim Frashëri nuk ishte thjesht një aktor. Ai ishte një akt i gjallë i artit shqiptar, një frymë e papërsëritshme që bashkoi brenda vetes disiplinën e mjeshtrit dhe ndjeshmërinë e poetit. Sot, në përvjetorin e lindjes së tij, kujtojmë jo vetëm figurën e tij, por edhe drithërimën e atyre çasteve që ai dhuroi nga skena, nga ekrani dhe nga zemra e tij. Sepse, si çdo artist i madh, ai nuk iku, thjesht mori vendin e tij të përjetshëm në Panteonin e kulturës sonë.
KOHA JONË SONDAZH

