Ndahet nga jeta akademiku, Gëzim Qendro, Rama: Studiues i zoti e njeri i rrallë
Pas një sëmundjeje të rëndë është ndarë nga jeta para kohe mëngjesin e sotëm akademiku, Gëzim Qendro. Gëzim Qëndro ishte një intelektual, kritik arti dhe akademik i shquar, mungesa e të cilit do të lërë një vakuum të madh për këto sfera. Por ai la pas një trashëgimi të shquar praktike dhe kërkimore. Ai ka kontribuuar në Kinostudio, Akademinë e Arteve, Universitete, dhe pas studimeve jashtë në disa shkolla prestigjioze europiane, është shquar sidomos për reformimin e Galerisë Kombëtare të Arteve, dhe si përkthyes i shkëlqyer i botimeve për artin, filozofinë dhe kritikën.
Rama: Gëzim Qendro, studiues i zoti i artit e njeri i rrallë
Hidhërim të thellë për ndarjen nga jeta të Gëzim Qendros shprehu sot edhe kryeministri Edi Rama. “Hidhërim për ndarjen nga jeta të Gëzim Qendros, një mik i mirë, fjalëpakë e punëshumë, studiues i zoti i artit e njeri i rrallë, që nuk i’a doli dot mbi sëmundjen e rëndë, por la pas kujtimin e bukur të kulturës e të fisnikërisë së tij të posaçme. Lamtumirë o mik!”, shkruan Rama, në rrjetin social “Facebook”.
Kumbaro: I pazëvendësueshëm
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të Qendros. “Trishtim i madh! Vendosi të largohet sot prej nesh, pas një sëmundje të rëndë dhe shume para kohe, një nga më të mirët, më profesionistët e më të mençurit e Artit dhe të Mendjes, kritiku dhe historiani i estetikës dhe artit, drejtori që bëri kthesën në Galerinë Kombëtare të Arteve, Gëzim Qendro. Le vepra shumë të mira mik! Por edhe na le një boshllëk të madh njerëzor e miqësor siç vetëm fisnikët munden. Je i pazëvendësueshëm!”, shkruan ministrja Kumbaro në një postim në rrjetin social Facebook.
KOHA JONË SONDAZH

