Ndahet nga jeta Mjeshtri i Madh, Rexhep Çeliku

U nda sot nga jeta, “Mjeshtri i Madh” Rexhep Çeliku, solisti i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Rexhep Çeliku vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai u shua sot, në orën 2:30.

Pas ditë më parë, Presidenti Ilir Meta i dha titullin “Nderi i Kombit”, ceremoni në të cilën Mjeshtri Çeliku u paraqit vetë, edhe pse i sëmurë rëndë.

Rexhep Çeliku ka lindur me 19 korrik 1954 në Tiranë. Që nga viti 1976 ka punuar solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje dhe mbi 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.

Më 8 janar 2018, Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” dy emblemat e jashtëzakonshme të artit dhe kulturës së kombit shqiptar, dy figurat, dy personalitetet që, me pasion, përkushtim, vetëmohim dhe punë të palodhur janë kthyer në simbole mbarëkombëtare:

“Perëndeshën e valles” Liljana Cingu, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si soliste me nivel të lartë artistik dhe mjeshtëri të veçantë në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit si dhe përçimin e folklorit tonë tek brezat e artistëve të rinj, si dhe “Shqipen fluturuese”, Rexhep Çeliku, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj.

Gjatë fjalës së Tij drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishin miq, kolegë e familjarë të dy artistëve, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, kreu i KLSH-së Bujar Leskaj, deputetë e personalitete të artit e kulturës, Presidenti Meta u shpreh se Liljana Cingu dhe Rexhep Çeliku kanë dhënë gjithçka nga jeta e tyre që vallja jonë popullore të duartrokitej e të ngrinte peshë zemrat e te gjithë shqiptarëve, kudo në botë.

“Ata ngritën në këmbë dhe pushtuan zemrat e spektatorëve të skenave më të rëndësishme ndërkombëtare duke u njehsuar me vlerat dhe bukurinë e artit, muzikës dhe trashëgimisë sonë, duke u bërë ambasadorë të shkëlqyer të kulturës sonë në botë.

Në çdo shfaqje e festival ku kanë marrë pjesë, ata kanë shpalosur me interpretimin e tyre vlerat më të larta të artit koreografik shqiptar,” – theksoi Presidenti Meta.

Presidenti i Republikës nënvizoi gjithashtu se: “asnjëherë nuk do të mjaftonin fjalët dhe aktet për të shprehur atë që këta dy simbole të kulturës sonë meritojnë në vlerësim të veprës dhe kontributit të tyre mbarëkombëtar.”

SHKARKO APP