Ndahet nga jeta legjenda e futbollit, Sefedin Braho, pjesë e Luftëtarit, Partizanit dhe i Kombëtares në periudhën 1970-1980
Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se në të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar të kategorisë “Abissnet Superiore”, Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë sot dhe nesër do të mbahet një minutë heshtje në nderim të ish-futbollistit të shquar, Sefedin Braho.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ka shprehun familjarëve, të afërmve dhe miqve të Brahos, ngushëllimet më të sinqerta në emrin e tij dhe gjithë komunitetit të futbollit shqiptar.
“Me trishtim të madh mësova sot lajmin e ndarjes nga jeta të Sefedin Brahos, një emër i madh i futbollit shqiptar e veçanërisht atij gjirokastrit, pjesë e Luftëtarit, Partizanit si edhe i Kombëtares në periudhën 1970-1980.
Gjithashtu Ylli Asllani përmes një postimi në Facebook ka përcjellë me një lamtumirë prekëse, Sefedin Braho, një prej figurave më të spikatura të futbollit gjirokastrit.
“Atëhere isha shumë i vogël, kur të pashë tek fushë e vjetër, që hyre 16 vjeç në lojë për herë të parë me skuadrën tonë të zemres Luftëtarin!” shkruan Ylli Asllani.
Duke vijuar në postimin e tij, ai shkruan:
“Që nga ai çast i fitove njëherësh zemrat e gjithë gjirokastriteve dhe u bëre idhulli tyre i përjetshëm, sikurse po i lëndon sot aq shumë me ikjen tënde pa kthim!
Fituam me ty gjithçka të bukur nga futbolli, ndaj e ke merituar gjithë dashurinë dhe vlerësimet e vendlindjes!
Gjirokastra do te jetë mirënjohëse për kënaqësinë e rrallë që i fale me virtuozitetin dhe talentin e jashtëzakonshëm!
Në historinë e madhe që krijove do ti kujtoj me mall përherë edhe unë ditët tona të bashkëpunimit, si dhe përkushtimin e qytetarinë tënde për t’i shërbyer sportit, qytetit dhe miqësisë sonë të sinqertë!
Ike i varfër miku im dhe pse na pasurove shpirtin dhe na i çove kokën lart kurdohere, në çdo stadium e fushë te blertë! Një pension të veçantë nuk ta dhanë edhe pse gjithë dashamirësit e kërkuan për ty!
Do të na falësh Sefe qe nuk ja dolëm të të rikthenim atë kënaqësi që meritoje nga shteti dhe shoqëria shqiptare..!
Do t’ju kujtoj sa herë do të kaloj në lagjen Punëtore apo tek stadiumi Gjirokastrës, i cili do të dëshiroja të mbante përgjithmonë emrin Sefedin Braho!
Do të ishte gjesti më i pakët që mund të kryejmë, për të na dhuruar një nder të madh edhe tani qe nuk je më mes nesh!
Në imazhin dhe kujtesën tonë do të ngelesh përherë talenti ynë i madh dhe futbollisti gjenial më i shpejtë në Shqipëri, sikurse e përshkruajnë këto rreshta!
“Sefedin Braho mund të jetë futbollisti më i shpejtë i kampionateve shqiptare ndër vite. Me një start dhe sprint të tillë, rrallë kanë parë pistat dhe fushat e futbollit. Një shpejtësi natyrale, një aftësi që i ka mahnitur të gjithë. Shpejtësi e kombinuar me topin në lëvizje, driblimi, ishin cilësitë që e karakterizonin në individualitetin e tij. Në testime fizike realizonte kohë rekord në garat e distancave të shkurtra, ideale dhe të admirueshme për atlet të nivelit të lartë. Dhe, kur mendon se matjet realizoheshin me kronometër dore, ndoshta koha do të ishte tjetër.”
Ngushëllimet me te thella familjes Braho, miqve dhe dashamirësve të tij të shumtë!
Ndritë në paqe shpirti yt fisnik i dashur Sefe!”, përfundon Ylli Asllani postimin e tij në lamtumirën dedikuar atij që ai e quan si idhulli i gjirokastritëve.
Përgatiti: Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

