Ndalimi i muzikës live, bizneset e Vlorës: Të zgjatet orari
Ora policore kufizon muzikën pas orës 22:00 dhe përfaqësuesit e biznesit në Vlorë këtë të premte patën një takim me prefektin e qarkut, ku kanë kërkuar shtimin e fashës orare të muzikës nga ora 22:00 deri në 24:00.
Prefekti i ka kërkuar bizneseve të zbatojnë protokollet e miratuara, pasi vendi ndodhet ende në pandemi. Për biznesin masat janë absurde, në një kohë kur në Tiranë mblidhen me qindra persona në shesh për të ndjekur ndeshjet e kampionatit evropian të futbollit.
Kurse përfaqësuesit e bizneseve janë shprehur se ekziston mundësia që për shkak të situatës së infektimeve, lokaleve dhe restoranteve mund t’u kërkohet të punojnë me kapacitet të reduktuar në masën 30 për qind, çka sipas tyre do të ishte një falimentim për ta.
Prefekti tha se biznesi në Vlorë ka punuar edhe në situatë më të vështirë dhe nuk ka falimentuar. Bizneset janë shprehur se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh ata do të reagojnë dhe do të protestojnë.