Ndalimi i qarkullimit, Dasho: Masa që synojnë të kufizojnë të drejtat e njeriut, nuk kanë impakt
Eksperti i Shëndetit Publik Erion Dasho në një lidhje direkte nga Gjermania për Ora News ka deklaruar se në Shqipëri merren masa që synojnë të kufizojnë qarkullimin e lirë, synojnë të kufizojnë të drejtat e njeriut, të cilat nuk kanë impakt në kontrollimin e pandemisë.
“Unë nuk e gjykoj të drejtë lëvizjen që është bërë në Shqipëri, e para e gjykoj jashtë konteksteve sepse merren masa si ajo e mbajtjes së maskave në publik apo si kjo e ndalimit të lëvizjes pas orës 10 të darkës, të cilat nuk janë të lidhura me masat e tjera të cilat duhet t’i kishin marrë. Edhe në Gjermani janë marrë disa masa por lëvizja nuk është prekur, konsistojnë në disa kufizime të aktivitetit të cilat nuk janë esenciale. Ne në Shqipëri flasim për masa periferike të cilat realisht nuk kanë ndonjë impakt. Merren masa të cilat synojnë të kufizojnë qarkullimin e lirë, synojnë të kufizojnë të drejtat e njeriut ndërkohë që nuk merren masa të tjera që janë shumë më të domosdoshme për përmasat që ka marrë pandemia në vendin tonë. P.sh mbyllet aktiviteti i bareve dhe restoranteve dhe pronarët kompensohen për humbjet që pësojnë. Lëvizja e qytetarëve është masa e fundit që kanë përdorur dhe vendet e tjera europiane”- tha Dasho.
Kujtojmë se prej datës 11 nëntor në Shqipëri janë vendosur masa të reja kufizuese nga Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shëndetësisë sipas të cilave ndalohet lëvizja e qytetarëve nga ora 22:00 – 06:00 në të gjithë vendin.