Ndalohen nga policia tre gazetarë të “Zërit të Popullit”

(Botuar me 30 Korrik 1994 në KOHA JONE)

Erion Braçe, Ardian Myslymi dhe Alfred Dalipi përfundojnë në birucat e Komisariatit numër 3
Dje gjatë mitingut të PS të Tiranës, në detyrë e sipër gazetarët e “ZP”, Braçe, Myslymi dhe Dalipi, u morën forcërisht dhe u përplasën në furgonat e policisë për të përfunduar më pas në birucat e komisariatit numër 3. Sipas kryeredaktorit të kësaj gazete Thoma Gëllçit, gazetarët u ndaluan për shkak se po ndiqnin nga afër mitingun duke fotografuar pjesëmarrësit dhe natyrisht edhe forcat e rendit. Sipas z. Gëllçi, gazetarët janë keqtrajtuar dhe u janë bllokuar aparatet fotografike për t’u kontrolluar nga forcat e rendit. Nuk është ky rasti i parë i ndalimit të gazetarëve gjatë kryerjes së detyrës. Dalipi e ka provuar një gjë të tillë edhe para një viti në mitingun e 30 korrikut të PS në sheshin “Skënderbej” ku u keqtrajtua dhe iu thye aparati fotografik. Veprime të tilla nga ana e policisë kanë ndodhur edhe me gazetarë të huaj. Kjo është një shkelje flagrante e të drejtës së gazetarit e shprehur në ligjin për shtypin të firmosur nga Presidenti Berisha. Policia Shqiptare ende nuk po mësohet dhe nuk di detyrën e saj përballë detyrës së gazetarit. Ky është një turp për forcat e rendit dhe fyerje për profesionin dhe gjithë gazetarët shqiptarë. Kryeredaktori i “ZP” Thoma Gëllçi mbrëmë në orët e vona na informoi se do t’i drejtohej të gjitha organizmave ndërkombëtare të shtypit dhe të të drejtave të njeriut për këtë shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të shtypit të lirë në Shqipëri.

SHKARKO APP