Ndarja e re, hiqet fjala komunë në ligjin për qeverisjen vendore/Bashkitë do të ndahen në lagje

Ligji duke iu referuar ndarjes së re territoriale, sanksionon që fjalët komunë, kryetar komune dhe këshilli i komunës të hiqen.

Në nenin dy të pr/ligjit të ri sanksionohet që konsultimi” ndërmjet institucioneve të pushtetit qendror dhe njësive të qeverisjes vendore është një proces institucional, transparent dhe i drejtpërdrejtë për informimin, këshillimin dhe shkëmbimin e opinioneve për politikat, legjislacionin e normat që rregullojnë qeverisjen vendore, i cili zhvillohet rregullisht dhe në mënyrë të vazhdueshme, sipas procedurave dhe një strukture të përcaktuar.”.

Sipas ndryshimeve të miratuara, Bashkia është njësi bazë e qeverisjes vendore. Bashkia përfaqëson një unitet administrativo-territorial dhe bashkësi banorësh. Bashkitë, shtrirja territoriale, emri dhe qyteti qendër i saj përcaktohen me ligj.

Bashkia përbëhet nga disa njësi administrative sipas lidhjeve tradicionale, historike, ekonomike dhe sociale. Njësitë administrative në territorin e një bashkie, shtrirja e tyre territoriale dhe emri përcaktohen me ligj. Bashkia e Tiranës përbëhet nga njësitë administrative dhe njësitë bashkiake sipas ligjit nr.115/2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Njësitë administrative përbëhen nga qytetet dhe/ose fshatrat. Shtrirja territoriale, emri i qyteteve dhe fshatrave, pjesë e çdo njësie administrative, përcaktohen me ligj. Shpallja e qyteteve të reja bëhet me ligj.

Qytetet mund të ndahen në njësi më të vogla që quhen lagje. Një lagje mund të krijohet vetëm në territore me mbi 20 mijë banorë. Ndarja e qyteteve në lagje dhe shtrirja e tyre territoriale miratohet me vendim të këshillit bashkiak.

Në pr/ligj përcaktohet që Qarku është njësi e nivelit të dytë të qeverisjes vendore.

Qarku përfaqëson një unitet administrativo-territorial të përbërë nga disa bashki me lidhje gjeografike, tradicionale, ekonomike, sociale dhe interesa të përbashkët. Kufijtë e qarkut përputhen me kufijtë e bashkive që e përbëjnë atë. Qendra e qarkut vendoset në një nga bashkitë që përfshihen në të. Shtrirja territoriale, emri dhe qendra e qarkut përcaktohen me ligj.”.

Numri i anëtarëve të këshillit bashkiak

Numri i anëtarëve të këshillit bashkiak përcaktohet sipas numrit të popullsisë, si më poshtë vijon:

– Bashkitë deri në 10000 banorë   15 anëtarë;

– Bashkitë nga 10 001 deri në 20 000 banorë   17 anëtarë;

– Bashkitë nga 20 001 deri në 50 000 banorë    25 anëtarë;

– Bashkitë nga 50 001 deri në 100 000 banorë    35 anëtarë;

– Bashkitë nga 10 0001 deri në 200 000 banorë    45 anëtarë;

– Bashkitë nga 200 001 deri në 400 000 banorë    55 anëtarë;

– Bashkitë mbi 400 000 banorë               65 anëtarë.

 

Në zbatim të këtij neni, prefekti përcakton numrin e anëtarëve të këshillit për çdo bashki nën juridiksionin e tij, mbi bazën e numrit të banorëve sipas evidencave të zyrave të gjendjes civile të datës 1 janar të vitit kur zhvillohen zgjedhjet.”.

 

Në draft përcaktohet se cdo bashki ka kryetarin e saj, të zgjedhur çdo katër vjet në zgjedhje të përgjithshme të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë, sipas mënyrës së parashikuar në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.”

Numri i përfaqësuesve të bashkive në këshillin e qarkut caktohet në përpjesëtim me numrin e popullsisë, si më poshtë vijon:

– Bashkitë me popullsi deri në 10 000 banorë, 2 përfaqësues.

– Bashkitë me popullsi  10 001 deri në 30 000 banorë, 3 përfaqësues.

– Bashkitë me popullsi  30 001 deri në 50 000 banorë, 4 përfaqësues.

– Bashkitë me popullsi  50 001 deri në 100 000 banorë,    5 përfaqësues.

– Bashkitë me popullsi  mbi 100 000 banorë, 5 + nga një përfaqësues shtesë për çdo 1 deri në 50 000 banorë mbi 100 000 banorë.

Brenda numrit të përfaqësuesve për çdo bashki, sipas pikës 1, përfshihet kryetari i bashkisë si dhe përfaqësuesit e tjerë që zgjidhen nga këshilli i bashkisë.”.

SHKARKO APP