Ndërhyrja e Lleshajt në ligj, dorëhiqet kreu i Komisionit që do bënte vetingun në Polici
Kur kanë kaluar tre javë nga ndryshimet e ligjit për vetingun në Policinë e Shtetit, ndryshime këto që prekën pavarësinë politike të procesit, i cili duhej të realizohej nga një komision teknik duke ia atribuuar atë SHCBA-së, ka ardhur goditja e parë.
Kreu i Komisionit të jashtëm të vlerësimit dhe sekretariatit teknik që do të bënte vettingun në policinë e shtetit ka dhënë dorëheqjen.
Bëhet fjalë për gjeneralin Viktor Bërdo, i cili më 26 shkurt do të zgjidhej kryetar i komisionit të jashtëm të vlerësimit dhe sekretariatit teknik që do të bëjë vettingun në policinë e shtetit.
Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se arsyet e kësaj dorëheqjeje nuk janë personale, por shkak është bërë mos mbështetja logjistike nga ana e këtij institucioni, duke krijuar pamundësi për të kryer saktë detyrën në kushtet e krijuara.
Përveç kësaj, mësohet që puna me dosjet ende s’ka nisur, pasi nuk është gati infrastruktura minimale e domosdoshme për realizimin e procesit të rivlerësimit të të gjithë efektivëve të policisë.
Gjatë amendimit të ligjit të Vetingut në Policinë e Shtetit që u miratua në fund të muajit mars, Komisioni i Parlamentar i Sigurisë nuk e mori fare në konsideratë kreun e Komisionit të ngritur për të realizuar këtë proces, duke mos e thërritur as për të qenë prezent në seancë ku deputetët socialistë në Komisionin e Sigurisë, miratuan ndryshimet ligjore.
Me ndryshimet e reja do të jetë, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit që deri sot drejtohej nga Viktor Bërdo, që do të vetojë rreth 250 punonjës të gradave të larta, ndërsa SHÇBA do të kryejë proçesin e vettingut për efektivët e policisë.
Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, që udhëhoqi miratimin e ligjit të Vettingut në Policinë e Shtetit do ti kritikonte fort rishikimin që u kërkua nga pasardhësi i tij dhe që u miratua në 28 mars në Kuvend. Dy ishin pikat kryesore që u ndryshuan dhe që Xhafaj abstenoi: afati dhe komisionet që do të bëjnë vettingun.
Në ligjin e ri parashikohet që vettingun në policinë e shtetit, në fazën e parë për drejtuesit e lartë, 300 grada ta bëjë një komision i jashtëm sikur është deri tani, ndërsa 13 mijë punonjësit e policisë ti kalojë në skaner më pas SHÇBA-ja.
Kontenstimi i ish-ministrit
Por, për Fatmir Xhafajn, ky institucion nuk mund të bëjë një filtër të tillë, pasi e para është në varësi të ministrit dhe mund të cënohet pavarësia e procesit, dhe e dyta, sepse SHÇBA-ja nuk ka kapacitetet e nevojshme.
“Puna serioze e kanë bërë policinë institucionin më të besuar, 63% e shqiptarëve i besojnë policisë së shtetit, ndërsa në 2013 kjo shifër ishte 30% më pak. Policia ka qenë kjo edhe në kohën e Bashës, po cfarë ka ndryshuar? Vullneti politik. Policia nuk është pasuri e partive, por shtyllë e shtetit të së drejtës. Vetingu mbetet instrument kyç. Keqardhje që me alibi false nuk u bë i zbatueshëm në kohë, por për dy vite futëm në procesin e zbatimit në drejtësi. Gjithsesi më mirë se vonë se kurrë, nuk është herezi ndryshimi i një ligji, por në vlerësimin tim ndryshimet nuk janë të duhura në disa arsye, mund të cënohet pavarësia e procesit. Kemi të bëjmë me skanim të vecantë, dhe nuk mund të bëhet nga SHCBA, në varësi të ministrit. Një nga sukseset e vettingut në drejtësi është se është i besueshëm nga të gjithë. Së dyti cënohet cilësia dhe shpejtësia e procesit. SHCBA-ja nuk ka kapacitetet për ta kryer këtë proces. Ti besojmë vettingun 13 mijë punonjësve një institucioni që ka 100 punonjës vlerësoj se do ta ngadalësojë procesin. Argumenti financiar nuk është i justifikuar, ajo shumë që mendohet se do të kursehet 2 mln euro, është e papërfillshme nga ajo që pritet. Por një gjë është pozitive,nuk preket thelbi i vlerësimit dhe kriteret”, do të deklaronte në seancën plenare të 28 marsit, ish-ministri Xhafaj.
Gjeneral Major Viktor Bërdo ka pasur një karrierë të gjatë në Forcat e Armatosura, deri në detyrën e Zv. Shefit të Shtabit.
/ Koha Jonë
KOHA JONË SONDAZH

