Nderim dhe mirënjohje për ata që mëvetësuan Shqipërinë, ata që na bënë me flamur

Vlora u kthye sot në qendër të krenarisë kombëtare, teksa shqiptarët nga të gjitha trevat dhe diaspora u bashkuan për të kujtuar dhe nderuar ata që 112 vite më parë shpallën Pavarësinë dhe na dhuruan Flamurin kuqezi. Në këtë ceremoni solemne morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, Prefekti i Qarkut të Vlorës Kristaq Kiço, Kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha, përfaqësues të pushtetit vendor, komuniteteve fetare dhe qytetarë nga mbarë vendi.

Ceremonia nisi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar, ndërsa figurat më të larta shtetërore vendosën kurora me lule dhe u përkulën me respekt para Monumentit të Pavarësisë, simbol i përpjekjeve shekullore për liri e dinjitet. Ky homazh nënvizoi rëndësinë e sakrificave të rilindësve dhe burrave të kombit, të cilët i dhanë jetë një ëndrre të madhe kombëtare.

Në fjalimet përshëndetëse, krerët e institucioneve shprehën mirënjohjen e thellë ndaj atyre që luftuan për të sjellë Pavarësinë dhe theksuan domosdoshmërinë e ruajtjes së unitetit dhe trashëgimisë kombëtare. “Pavarësia është një akt që jeton në kujtesën e çdo shqiptari, një gur themeli për ndërtimin e të ardhmes tonë,” u shpreh Presidenti Begaj.

Pas ceremonisë, Kryeministri Rama dhe Kryeministri Kurti bashkëbiseduan me qytetarë dhe personalitete të pranishme, ndërsa një moment i veçantë ishte takimi i tyre me Nedin Vlorën, nipin e Ismail Qemalit, i cili ndau emocionet e tij për rëndësinë e kësaj dite historike.

Vlora, e zbukuruar me flamuj kuqezi dhe dekorime festive, u kthye në një skenë të gjallë aktivitetesh, nga koncertet artistike deri te ekspozitat historike, duke tërhequr vizitorë nga çdo trevë shqiptare.

28 Nëntori, i njohur si Dita e Flamurit, mbetet një ditë frymëzimi dhe krenarie për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Në këtë përvjetor të 112-të, homazhet dhe aktivitetet festive dëshmuan se fryma e Pavarësisë është e gjallë dhe e përhershme.

Albert Vataj

SHKARKO APP