Nderim për mikun, Át Zef Pllumi, në njëqindvjetor, nga Sabri Hamiti
Poligrafia
Shkrimtaria e Françeskanit shqiptar Át Zef Pllumi mund të cilësohet poligrafi. Át Zef Pllumi, gjithë jetën e vet e kaloi në Shqipëri, mësimet dhe studimet i bëri në vend; shërbimet meshtare i kreu në vend, veprat e veta letrare dhe tejletrare i shkroi në shqip dhe i botoi për herë të parë në Shqipëri, madje edhe veprat postume dolën për herë të parë në vendin e lindjes dhe të jetës. Jeta e tij në Shqipëri ka tri faza: e para e formimit, e dyta e burgjeve, e treta e shkrimeve të vrullshme, për një decenie e gjysmë, që pushuan (u ndalën) vetëm kur ndërroi jetë. Pra, në dukje, Át Zef Pllumi është françeskani arbnor atipik. Mirëpo, për t’iu shmangur portretimeve të tij të njëanshme, këtë herë do të përmendim vetëm shkrimet e tij letrare dhe shkrimet e tij për letërsinë; për letërsinë identitare shqipe dhe letërsinë botërore. Kemi parasysh veprat e botuara për të gjallë dhe veprat postume.
Nuk dua të harroj të theksoj që Át Zef Pllumi i ka shkruar veprat e veta në moshën në të cilën poeti i tij më i madh Gjergj Fishta dhe personaliteti i adhuruar e kishte mbyllur krijimtarinë dhe kishte ndërruar jetë.
Vepra letrare
Postulati themelor i krijimtarisë së Zef Pllumit është dëshmia e të vërtetës; pastaj vetëdija e tij krijuese do të lakohet te format dhe te stilet, për të arritur te letërsia e bukur. Kronologjia e veprave të autorit:
1. “Rrno vetëm për me tregue” (pjesa I), Hylli i Dritës, 1995.
2. “Rrno vetëm për me tregue” (pjesa II), Hylli i Dritës, 1997.
3. “Rrno vetëm për me tregue” (pjesa III), Hylli i Dritës, 2001.
4. “Antipoezi për shekullin e njizetë” (poemë antiepike), 2001.
5. “Françeskanët e mëdhaj”, 2001.
6. “Ut Heri Dicebamus” (Siç thonim dje), (libër publicistik), 2002.
7. “Para nji mijë vjetve” (Ngjarje të dheut të Arbnit), 2003.
8. “Frati i Pashallarvet Bushatlí të Shkodrës (Kronikë e gojdhanë)”, 2004.
9. “Njerëz fisnikë” (Novelë apo tregim i vërtetë), 2006.
Vepra postume
1. “Kështu foli Át Zef Pllumi” (me gazetarët), 2008.
2. “Saga e fëmijnisë (Unë që jetova shumë shekuj)”, (tregim autobiografik), 2009.
3. “Dhetë vjet liri”, 2017.
“Rrno vetëm për me tregue”, vepra testamentare dhe monumentale e Át Zef Pllumit ka tre libra: “Libri i kujtimeve” (1995), “Liria mes dy burgimeve” (1997), “Robnia e gjatë” (2001), duke nënvizuar në tituj temat e mëdha: Librin, Lirinë dhe Robninë, për të kujtuar dhe dëshmuar mizoritë gjysmëshekullore kundër shqiptarëve në tiraninë e E. Hoxhës. Autori është vetë pjesëtar dhe dëshmitar, prandaj zija e tij e shkrimit kalon nëpër shkallët: jetesa dhe mbijetesa; pastaj jetimi dhe përjetimi, dhe në fund, rimarrja e dëshmisë dhe kujtimit; kalime me peshë shkatërrimtare për subjektin e shkruesit.
Vepra “Rrno vetëm për me tregue” është shkruar në trajtën e prozës doku¬mentare dhe autobiografike. Si libër për burgun e logorin e diktaturës komuniste shqiptare, ushqehet nga disidenca doktrinare, që ia kundërvë dashurinë dhunës dhe nga disidenca politike, që ia kundërvë lirinë robërisë, kjo vepër bëhet kryevepër e logorografisë shqiptare. Për ndeshjen e lëndores me shpirtëroren, kjo vepër merr dimensione të gjera humane, për t’u bërë e krahasuar me librat e logorologjisë në kulturat europiane. Vlera e saj e dëshmisë dhe mësimit i ka dhënë veprës dimension përtej kulturës shqiptare, duke portretuar Át Zef Pllumin si misionar dhe si misionar të rebeluar.
Vepra “Rrno për me tregue”, e përkthyer në italisht, në frëngjisht e në anglisht, tashmë ka statusin e veprës së njohur në kulturat europiane.
Vepra “Françeskanët e mëdhaj” (2001) është në fakt një përmbledhje e personaliteteve kulturore e atdhetare të kohës së artë, të kulturës shkodrane. Në një renditje, nga Gjergj Fishta deri te Gjon Shllaku, Át Zef Pllumi krijon portretet e “çetës”, duke provuar bashkimin e thellësisë së qartësisë, në një rikujtim ku dëshmohet thelbësorja me detajin karakterizues. Portreti i korifejve të tij, bëhet duke nënvizuar pamjet e jashtme, karakteret, dituritë, mësimet, veprat e kryeveprat, për të arritur në përfundimet e figuruara që dallojnë të ngjashmit. Në këtë procedurë shkrimi, kudo theksohet ndjesia e shkruesit për personalitetet që ka njohur. Nuk ngurron të pranojë nderin që vetë është nxënës i tyre, sidomos i Gjergj Fishtës, adhurimin për të cilin e shfaq kudo. Këtë karakter të shkrimit enciklopedik do ta dëshmojë pak më vonë duke bërë portretin e Ibrahim Rugovës, prijës kombëtar e shpirtëror i Kosovës.
Te vepra “Antipoezi për shekullin e njizetë (poemë antiepike)” të nënshkruar me autorësinë Lis Mali, Zef Pllumi kalon vetëdijshëm nga letërsia jofiksionale në letërsinë fiksionale. Këtu uni nuk fshihet, përkundrazi, nënvizohet. Posesiviteti kryqëzohet me intimitetin për të mos pranuar shthurjet e shekullit XX me “hukamat e heqamës” për fatin e njeriut, që kalon nëpër katastrofat ideologjike e militare. Është hera e parë që autori shkruan në trajtë të vargjeve formulative, në farën e solilokuiumit. Nuk ka, pra, këtu as hero lirik as hero epik, pos, ndoshta hero moral. Heroin epik përballë heroit mashtrues (negativ) do ta njohim në veprën “Para nji mijë vjetve” (Ngjarje të dheut të Arbnit) (2003). Mbasi ngjarjet, kohët, personazhet preferohen në vepër rrëfimtare, ndërsa karakteret në ballafaqim kërkojnë vepër dramatike, Át Zef Pllumi zgjedh një formë sinkretike, të cilën e cilëson “material gjysë i gatshëm për nji regjisor filmi”, në të cilën një zë neutral vlerëson ndodhitë, ndërsa raportet e personazheve dalin si dialogje. Ngjarjet ndodhën në të kaluarën (në Durrës) shekulli dhjetë, porse ato i lidh heroi i mjaltit dhe i gjakut, Gjergj Aleksi, që shëtit si figurë nëpër shekuj me variacione të emrit, por me qëndrim të përhershëm: për dashurinë kundër dhunës. Gjegj Aleks Ilija (i vitit 965 në Durrës), del si Gjergj Aleksi (i vitit 1465 në Krujë), për t’u bërë Gjergj Elez Alia i rapsodisë së përhershme. Artikulohet një prag i naltë kulturor ndërmjet Qytetit dhe Malësisë, deri në nivel të grindjes. Dëftohet që vëllami nuk bëhet asnjëherë vëlla. Teksti ka nëntekstin alegorik për ta bërë ngjarjen të lexohet edhe në bashkëkohësi.
Vepra “Frati i Pashallarve Bushatlí të Shkodrës”, me një metatekst “Kronikë e Gojdhanë”, është vepra më e përsosur letrarisht e Át Zef Pllumit. E thurur në trajtë utopie apo akronie, e vendosur në të shkuarën (e sugjeruar në të ardhmen) ngjarja nuk ndodh në Askund, por në Shkodër. E nisur si fiksion, shndërrohet në faksion. Nënteksti pikant dëfton grindjen e pafund ndërmjet injorancës (padijes) dhe ndriçimit dituror. Ky libër është një këngë për harmoninë e besimtarisë shqiptare, për qëndresë dhe ekzistencë, në komunikim me botën dhe adhurimi i diturisë si shpëtim i autenticitetit.
Dy veprat postume të Át Zef Pllumit: “Saga e fëmijnisë” (2009) dhe “Dhetë vjet liri” (2017) janë vepra të papërfunduara dhe janë vepra të kulluara autobiografike me nënshtresa të letërsisë dokumentare. Ato lidhin dy moshat e autorit, njëra me fëmijninë e tjetra me pleqërinë.
“Saga e fëmijnisë” është vepër e shpirtit dhe vepër shpirtërore. Autori, vetëm dy muaj para se të shkonte, i rrëfehej gazetares se frikësohet se nuk do ta përfundojë këtë dorëshkrim. Teksti i botuar përfshin fëmijërinë e parë, deri sa hyn në Kolegj, pa i bërë shtatë vjet. Po, rrëfimi në një mënyrë e ka një përfundim: përshkruan me ndjesi “thirrjen” që i shfaqet për mesianizëm, ngutjen e pabesueshme për meshtari, duke i bindur si i rebeluar kujdestarët e familjes dhe moskuptimin e moshatarëve.
Botimi i dorëshkrimit dhe regjistrimi i të folurit me titull “Dhetë vjet liri”, ishte menduar si pjesa e katërt e veprës “Rrno vetëm për me tregue”, të cilin autori e kishte rekomanduar të mos botohej për të gjallë të tij. Teksti i botuar ka disa shkurtime. Ajo që kemi të botuar është një kronikë e shumështresuar e ndodhive në Shqipëri mbasi Zef Pllumi del nga burgu. Shërbimet e tij baritore, për ngritjen e kishës, punën e vështirë për ringritjen kulturore të françeskanëve, shkollimin e kuadrit vendës; mosmarrëveshjet dramatike të shoqërisë shqiptare për një dhjetëvjetësh. Thirrja e tij e fundit mbaron me përsëritjen: shkolla, shkolla, shkolla. Është një theksim i fundit, i thënë nga ai më parë: që problemi më i madh i shqiptarëve është ignoranca (padija) e cila shoqërohet me mosmirnjohjen.
Me metatekst, sidomos në botimet e para të librave të vet, Át Zef Pllumi cilëson, madje edhe karakterizon letrarisht këto vepra. Metatekstet: libër, antipoezi, poemë antiepike, libër publicistik, kujtime, ngjarje të dheut të Arbrit, libër-skenar, kronikë e gojdhanë, sagë, tregim autobiografik, novelë apo tregim i vërtetë, parathënja, intervista, nga rasti në rast; ose nënvizon gjininë dhe kategorinë letrare; ose thekson procedetë letrare; ose rithekson domethëniet letrare deri edhe tematikisht si shpjegime parake për lexuesin. Mirëpo, asnjëherë nuk e harron autorin, krijuesin, qoftë në shkrimin letrar, qoftë në tejshkrimin letrar, si markë të veprës letrare, duke qenë i mësuar që tematikat dhe transformimet ngjajnë për të ridimensionuar klasiken.
Át Zef Pllumi në veprën e vet letrare thur vetëdijen që stili është njeriu dhe gjuha është shpirti. Prandaj, nëpërmjet gjuhës së nënës, idiomës dhe idiolektit, shkruan prozën gegnishte në nivelin e lartë të artikulimit. Sikur të dukej Gega i fundit. Letërsia e tij, në thelb mbetet letërsia e pasojës së dramës të individit, të sprovuar nëpër rrethanat rrënqethëse të kolektivitetit. Një përqendrim që njëson çastin e përjetshëm, duke e lakuar nëpër përjetësinë e çastit. Prej këndej artikulimi bindës dhe i kthjellët individual: “kam jetue në shumë shekuj”. Ky është triumf individual i markës: jam njerí!
Kritika letrare
Át Zef Pllumi kulturën e vet letrare e kishte mbështetur te mësimet e mësuesve të vet në Kolegj: shkrimtarët klasikë grekë e romakë, pastaj renesancën me Dante Aligierin, më tej me Servantesin e Shekspirin, shto edhe Dostojevskin… Pa harruar asnjëherë letërsinë e Shën Françeskut. Sa i takon letërsisë shqipe, shfaqen Budi e Bogdani; vala e rilindasve me Naimin për të arritur te Gjergj Fishta si personalitet e si poet që ishte kurora e këtyre të fundit me kryeveprën “Lahuta e Malcís”. Kish lexuar edhe letërsinë bashkëkohore shqipe, me përmbajtjet e saja kontradiktore, sidomos në shekullin XX.
Át Zef Pllumi nënvizon, që në letërsinë shqipe vetëm veprat e Fishtës bashkohen me klasikën botërore. Por ka edhe vepra të tjera që duhet të njihen nga çdo shqiptar.
Prej letërsisë artistike shqiptare dahen dy shkolla: ajo e klerit katolik dhe e realizmit socialist. Nga e para dalin kulmet dhe veprat dominuese në gjysmën e parë të shekullit XX. Për sa i takon realizmit socialist, më vjen keq ta them, por kanë vlerë veç veprat e Kadaresë (1).
Shkrimet e tij kritike kanë trajta të ndryshme artikulimi: mendime të shkurtra në trajtë përfundimesh, diskutimesh të fenomeneve letrare (edhe me temperament); studimesh të argumentuara; në fund edhe klasifikimeve si vlerësime, për të arritur te kategorizimet klasike dhe moderne, duke lidhur barasvlershëm temën letrare dhe stilin.
Në trajtë përfundimesh jep portrete të shkrimtarëve françeskanë.
Portretin e Shtjefën Gjeçovit e lidh me “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, duke e quajtur “portret identitar i shpirtit shqiptar”. Karakterizon Vinçenc Prenushin: “fjala e tij ishte e ambël, kumbuese, poetike, po ajo që njohim në librin ‘Gjeth e lule’”. Nënvizon për Anton Harapin që shkroi “dy romanet e para moderne të letërsisë shqipe: ‘Ândrra e Pretashit’ dhe ‘Valë mbi valë’”. Cilëson Bernardin Palajn: “Ishte pionieri i poezisë moderne në gjuhën shqipe”, edhe pse u skandalizuan se nuk e kuptuan. Konstaton që përkthimi i Donat Kurtit i “Testamentit të Ri”: “Do të konsiderohet si proza mâ e bukur letrare e gegnishtes gjatë këtyne viteve”. Konstaton që “teksti shkollor ‘Letratyra shqipe’ (1925 dhe 1934) i Justin Rrotës, mbas 80 vjetësh âsht i nevojshëm”.
Për shkrimet letrare moderne i vlerëson edhe autorët joklasikë: Lasgush Poradecin dhe Mitrush Kutelin.
Në biseda letrare me gazetarët, te libri postum “Kështu foli Át Zef Pllumi”, më tepër se një herë, përgjigjet në pyetjet klasike të kohës: “Çfarë mendoni për letërsinë e Migjenit? Çfarë mendoni për letërsinë e Kadaresë?”Për Migjenin Át Zef Pllumi flet si dëshmitar: Migjeni i kishte sulmuar. Redaksia e “Hyllit të Dritës” i kërkojnë Fishtës t’i bënin përgjigje. Por Fishta i ndaloi me fjalët: “Mos u kapni me tê, se ka talent. Nëse do të ketë mend do të ecë përpara. Dikur ka me rá në veti” (2). Pllumi vetë e shpjegon idenë: “Dëgjo: në veprën e tij, p. sh., ka nxjerrë një murgeshë spitali “si engjëll i arratisun”. Âsht e shkurtë, por domethanëse:
Unë edhe, ti murgeshë, dy skaje po të një litari,
të cilin dy taborre ja ngrehin njeni-tjetrit (*)
Ai ishte me ide komuniste… Sllavizmi ishte ai që solli komunizmin”(3).
Për Kadarenë Át Zef Pllumi thotë: “Ai nuk ka kenë disident, sepse ai ka shkrue në vijën e Partisë pro komandantit… Ai ka qenë properëndimor… Unë i kam thanë kur jam takue, se vepra ma e mirë e jotja ashtë ‘Kronikë në gur’, e dyta ‘Çashtje të marrëzisë’, nji vazhdim, por nuk janë çashtje të marrëzisë të familjes në vetvete, janë të vetë popullit shqiptar… Për çfarë ka shkrue Ismaili stilin e ka shumë të bukur saqë nuk i avitet askush në prozë. E ka shkrue me estetikë të frazës”(4). Pllumi përsërit edhe dy herë të tjera që libri “Çështje të marrëzisë” është libër që i ka pëlqyer më së shumti në letërsinë shqipe (5).
Kritikat letrare më të thella dhe problematizuese të Át Zef Pllumit janë botuar si parathënie librash. Njëra si parathënie e botimit të parë të romanit “Rruga e Golgotës” të Kasëm Trebeshinës, ndërsa tjetra si parathënie e botimit XV të epopesë “Lahuta e Malcís” të Gjergj Fishtës.
Te “Kasëm Trebeshina në rrugën e Golgotës”, Át Zef Pllumi pohon që romani “Rruga e Golgotës”, e vepra të tjera, çelin periudhë të re në letërsinë shqiptare. Një letërsi shqiptare dhe universale që përmbys letërsinë servile socrealiste. Veprën e shkruan një i burgosur, që i është ndaluar botimi, duke u bërë njeri i të gjitha epiteteve kundërthënëse, të sajuara nga thashethemnaja e tmerrshme shqiptare.
Tema është aktuale dhe ambientale, porse talenti individual mbijeton letërsinë sterile e servile të socrealizmit pikërisht duke metaforizuar botën njerëzore me thellësinë e veprave klasike, nga Prometheu mitologjik, me vizione të shumta, “aq të fuqishme, të nalta, të frymëzueme si ato të nji apokalipsi”, nënvizon studiuesi Pllumi, duke pohuar se njohja e parë me autorin e bind që është ndër talentet e rralla të letërsisë shqipe. Autori i romanit krijon epikën e filozofisë të mjerimit e të qëndresës, me një episod të luftës së quajtur “çlirimtare”.
Protagonisti i veprës, Gani Tahiri, e identifikon vetë autorin në mundimet për vlera supreme, duke kaluar kurthet e sekretarit të “Satanbeut”, hajdut i lavdisë historike.
I pushtuar nga një lexim përjetues i vetvetes në roman, Zef Pllumi shpjegon me ironi për të paditurit: “…dikur e dijshin të gjithë fëmijët tonë, se Golgota, që hebraikisht don me thanë ‘vend i rrashtave’, âsht nji kodrinë e vogël e Jeruzalemit, në të cilën u kryqëzue Krishti”!
Për “Zefin e vogël” dhe Át Zef Pllumin, në fillim dhe në fund është Gjergj Fishta dhe vepra “Lahuta e Malcís”. Përjetë e kujton shikimin e poetit që ndriçon, që e pa si fëmijë si mysafir në stan në vendlindje. “Lahuta e Malcís”, qe libri i parë që ka lexuar; sa blej të saj i dinte përmendësh; në pjekuri e cilësoi monument të letërsisë shqipe…
Mirëpo, kurora e studimit të tij kritik është Parathanja për botimin jubilar të 100-vjetorit të “Lahutë së Malcís” (1905-2005), botimi XV. Ky studim kompleks pesëdhjetë faqesh paraqet anatominë dhe strukturën e veprës, duke paraqitur dhe historikun e rrethanave nacionale kur u shkrua, evolucionin e veprës për të arritur për tri decenie deri në formatin e botimit integral më 1937. Pllumi analizon kompozicionin e veprës integrale në raport me krijuesin e saj, duke e parë të strukturuar në gjashtë cikle bashkë me këngët ndërlidhëse. Ballafaqon poemën me realitetin historik që përfshihet në të, në nivelin e “reales” dhe të “besueshmes”, duke gjurmuar heroin që është shqiptari dhe e vërteta ideale, koncept që zgjoi polemika të rrepta me Mehdi Frashërin mbi kulturën e autenticitetit. Në këtë nivel, Zef Pllumi përfundon që “Lahuta e Malcís” është poemë epike që mbron jetën e lirinë e një populli, prandaj i pëlqen figura e Lasgush Poradecit, që “Lahuta” është: “shkëmb i popullit shqiptar”, duke e parë vepër shkëmb mbi të cilën ngritet letërsia shqipe.
Át Zef Pllumi nuk ngurron të përmendë të metat e një vepre që krijohet për 32 vjet: si përsëritje rimash apo klishe të portreteve fizike të personazheve. Studiuesi shtron çështjen e krahasimit të poemës shqiptare me veprat epike të popujve të tjerë, duke ia besuar të dhënën e vet autorit, që e ka për zemër “Kunorën e Maleve”, ndoshta popujt banojnë pranë e pranë, duke njohur kodet ballkanike.
Studiuesi Zef Pllumi diskuton formën popullore të “Lahutës” si vetëdije kreative të Fishtës për të funksionuar plotësisht në komunikim. Ai këtë vetëdije krijuese e mbrojti fuqishëm në polemikën rreth tetërrokëshit shqiptar të përshtatshëm për epopenë, polemikë që e fitoi kundrejt Zef Valentinit. Pra, poema nacionale ka lidhje gjenuine me folklorin, jo vetëm kur e imiton si trajtë, por edhe kur e merr si “citat”, formë të përkryer.
Përfundimi i këtij studimi mbyllet më një citat fishtjan: “Por ka ndrrue sot moti e stina”!… Për ta çuar më tej ngjyrimin ironik: “Duem botën e re!… Okei!
Duke vlerësuar edhe këtë herë mendjen kritike të Zef Pllumit, se nuk ka qenie krijuese të paprekshme, nuk mund të mos kujtoj atë që kemi biseduar më se një herë: për “Ândrrën e Jetës” te “Juvenilia” e Mjedjes; për çështjen e prozës moderne shqipe gege, pa “Marcian” e Ndoc Nikajt dhe pa tregimet e Ernest Koliqit apo për poezinë moderne të Lazër Shantojës. Ave!
Kështu foli Át Zef Pllumi
Ky është libri i parë postum i Át Zef Pllumit, libër që përfshin bisedat e gazetarëve me të, të realizuara ndërmjet korrikut 1992 dhe gushtit 2007. Ky libër i përgatitur nga Agron Gjekmarkaj, me parathënie të Aurel Plasarit, botohet më 2008 në përvjetorin e parë të vdekjes së Át Zef Pllumit.
Kërkon vëmendje të posaçme parathënia e bashkëpunëtorit të ngushtë kulturo-letrar të Át Zef Pllumit, Aurel Plasarit, me titull “Me bashkëbiseduesin në mes tonë”. Plasari mbështetet në bisedat me gazetarët, mirëpo edhe në bisedat e veta nëpërmjet të cilave “Frati i kujtimeve shndërrohet në Fratin e ideve”, duke vështruar “mozaikun” duke synuar “sintezën”, thelbin e ideologjisë së tij. Plasari kërkon çfarën, cilësinë “që e bëri Át Zef Pllumin njërin ndër ideologët shqiptarë më me peshë të kapërcyellit të shekujve XX dhe XXI”.(6)
“Ideologjia ndoshta më e thjeshtë në botë: liria kundrejt tiranisë dhe dashuria kundrejt dhunës”(7) është ideologjia e Át Zef Pllumit, saktëson A. Plasari. Argumenti është përforcuar që më parë në veprën e tij “liria si asgjësuese e tiranisë dhe dashuria si asgjësuese e dhunës mbeten postulatet e tij të shpallura në Kujtimet që la”. (8)
Në biseda të tij, Át Zef Pllumi, Enver Hoxhën e cilëson tiran dhe tiraní regjimin e tij; për të vijuar në bisedat e tij: “Nuk ka pasë kurrnji element ma antifashist se kleri katolik shqiptar”. Kurse kampet shqiptare “të punës” ua kalojnë edhe kampeve naziste, do të saktësojë Pllumi në bisedat e tij. Me idetë e Shën Françeskut, Zefi mund të rezonojë se një revolucion i vërtetë dhe i dobishëm mund të jetë ai i dishepujve të Shën Françeskut.
Plasari lakon edhe më thellë ideologjinë françeskane, të mbështetur në kulturë e në arte (letërsi). Urdhri Françeskan me moton “Pax et Bonum” (Paqe dhe Mirësi), merr dimension letrar të zhvillimit me “Kangën e Natyrës”. Prandaj, ngulmon A. Plasari që Át Zef Pllumi e konsideronte “librin më të bukur në botë” veprën e Shën Françeskut: “I fioretti” (Lulet e vogla), të cilin ua këshillon të gjithë atyre që nuk e kanë lexuar, sidomos miqve të tij.
Aurel Plasari në këtë parathënie nënvizon katër postulatet e ideologjisë së Pllumit, porse kurorë e figurës kulturore katolike të tij është mirësia që jepte ai. Njeriu që i falte edhe ata që nuk i kishin kërkuar ndjesë.
Literatura
1. Át Zef Pllumi, “Rrno vetëm për me tregue”, me parathënien e parë të A. Plasarit (1995) dhe me parathënien e dytë nga I. Kadare (2006), Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 2006.
2. Át Zef Pllumi, “Historí kurrë e shkrueme”, Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 2006.
3. “Kështu foli Át Zef Pllumi”, me parathënie nga Aurel Plasari, Botime Onufri, Tiranë, 2008.
4. Sabri Hamiti, “Zef Pllumi”, Albas, Tiranë, 2013.
5. Sabri Hamiti, “Át Zef Pllumi”, Botimi i dytë i plotësuar, Botime françeskane, Shkodër, 2018.
6. Kujtim M. Shala, “Ut Heri Dicebamus” (siç thonim dje…), ASHAK, 2019.
Fusnotat
(1) “Këshilla leximi nga Át Zef Pllumi”, Gazeta e së shtunës, nr. 1, 11 nëntor, 2006. Intervistuan: Dhurata Shehri e Persida Asllani.
(2) “Kështu foli Át Zef Pllumi” (me gazetarët), 2008, f. 189.
(*) Migjeni: “Kanga skandaloze”
(3) Po aty, f. 175.
(4) Po aty, f. 176.
(5) Po aty, f. 159 dhe 157.
(6) “Kështu foli Át Zef Pllumi » (me gazetarët), 2008, f. 7.
(7) Po aty, f. 10.
(8) Po aty, f. 9.