“Ndërkombëtarët të kuptojnë alternativën e re”, Meço: Pa zgjedhje të lira, e vështirë zgjidhja e krizës
Gazetarja Sonila Meço komenton krizën politike që ka kapluar vendin prej disa muajsh.
E ftuar në intervistën e pasdites, në RTV Ora, Meço tha se alternativa e re është nyja gordiane e të gjitha diskutimeve që bëhen për zgjidhjen e kizës.
Sipas saj ndërkombëtarët duhet të kuptojnë alternativën e re, ndërsa përmendi kreun e opozitës Lulzim Basha, i cili ka ndërmarrë një turn ë të gjithë Shqipërinë për prezantimin e programit të tij.
Gazetari: Çfarë pret të ndodhë me krizën politike? Çfarë do ta zgjidhë këtë krizë në një aspekt afatgjatë që të mos kemi krizë edhe pas dy vitesh. Mos duhen protesta, marrëveshje, konsensus?
Sonila Meço: Pyetja është 1 milion dollarë. Unë dje isha në një konferencë ku ishin zërat më të rëndësishëm të ekspertëve të reformës zgjedhore.
Gazetari: Dhe një alternative të re politike?
Sonila Meço: Fjala alternativë ndoshta është nyja gordiane e të gjithë diskutimit. Ndoshta do ishte më i lehtë diskutimi për mbështetjen që Edi Rama ka nga ndërkombëtarët në momentin që artikulohet një alternativë e qartë që mund të jetë në atë ardhmen mundësia për të zgjidhur këtë krizë. Ndoshta ndërkombëtarët ende duhet të kuptojnë këtë alternativë. Ne kemi Bashën që ka dalë në një tur duke prezantuar programin e tij dhe gradualisht ekipin që rri në hije, për tu paraqitur si alternativë qeverisëse në të nesërmen.
Problemi qëndron se si do të shkojmë nesër në këtë alternativë të re. Nëpërmjet një procesi zgjedhor, i cili do të shkojë me reformë të realizuar apo të parealizuar. Do të jetë një reformë që do të përmbushë qëllimin primar që vota e shqiptarit të llogaritet, të jetë e barabartë dhe e vlefshme nga veriu në jug. Pra do të shkojmë me këtë?
E dyta, do shkojmë në një proces pas të cilit sërish në parlament do të kemi figura që mund të prodhojnë kriza të tilla, situata që mund të prodhojnë sërish opozita që mund të dalin jashtë parlamentit për shkak edhe të mungesës së reformës në drejtësi.
Këtu jemi veza, pulën apo pula vezën. Do të shkojmë drejt kësaj alternative, ose drejt kësaj zgjidhjeje imediate që mund të kërkonte edhe një marrëveshje momenti, por nuk do të zgjidhte dot një krizë kritike. Apo do duhet tani të shkundet nga themelet e gjithë historia?
Gjithashtu gjatë fjalës së saj, Meço tha se zgjidhja e krizës në vend do të jetë shumë e vështirë nëse shqiptarët nuk votojnë lirisht dhe vota e tyre nuk cënohet.
Sonila Meço: Pa votuar shqiptarët me zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa u dënuar krimi elektoral, pa u shmangur pushteti i kryetarëve mbi listat, mbi të zgjedhurit dhe pa një ligj të fortë të financimit të partive politike do jetë shumë e vështirë të ketë zgjidhje.