Ndërroi jetë në spital, 73-vjeçarja qëndroi në dhomë me pacientë të tjerë
73-vjeçarja e shtruar në spitalin e Durrësit që ndërroi jetë sot, ka qenë në një dhomë me disa pacientë. Disa ditë më parë 73-vjeçarja shkoi për t’u vizituar tek Sanatoriumi në Tiranë, pasi ka qenë e sëmurë me probleme të tjera kardiovaskulare. Tek Sanatoriumi në Tiranë ka marrë përgjigje që nuk është për t’u ndjekur tek ta dhe ndërhyrjet koronare nuk i ka pasur të mundshme t’i përballojë dhe më tej ka shkuar për kurim në Itali.
Ajo ka shkuar në Bologna dhe që të mos karantinohej është kthyer pas me bashkëshortin e saj. Me t’u kthyer është shtruar sërish në spitalin e Durrësit por pa rrëfyer që ka qenë në Itali. Me kryerjen e analizave, ajo ka treguar që ka qenë në Itali, çka detyroi mjekët të bëjnë analizën e koronavirusit, prej nga rezultoi pozitive me koronavirus.
Gjatë qëndrimit në spitalin e Durrësit në patologji ditët e para, 73-vjeçarja ka qëndruar në një dhomë me dy gra të tjera që nuk kishin lidhje me infektimin nga koronavirusi pasi vuanin nga sëmundje të tjera. Dy grave u shërbenin edhe nga tre persona të afërm, duke e çuar në 9 numrin e personave të rrezikuar nga koronavirusi. Grave të shtruara i janë marrë tamponët për të bërë analizën e koronavirusit. Njëra prej grave është vetëkarantinuar në shtëpi bashkë me djalin dhe nipin që i vinte për vizitë. Ndërkohë që gruaja tjetër bashkë me familjen është transportuar në Tiranë në spitalin infektiv në ISHP për të bërë analizat. /Report tv/