Ndërtoi pa leje te Kepi i Rodonit, arrestohet administratori i një kompleksi dhe katër persona të tjerë
Administratori i një kompleksi, që po ndërtohet pa leje në zonën e Kepit të Rodonit, në Durrës është arrestuar mëngjesin e sotëm.
43-vjeçari me iniciale S.A., banues në Ishëm do të hetohet për veprën penale të “ndërtimit të paligjshëm” dhe “pushtimit të tokës”.
Policia njofton se ka arrestuar dhe 4 shtetas të tjerë, të cilët po punonin për ndërtimit e kompleksit.
Këta shtetas janë: 21-vjeçari me iniciale E.L., 27-vjeçari me iniciale Xh.B., të dy nga fshati Ishëm. Po ashtu, 43-vjeçari nga Lushnja, me iniciale F.D. dhe 23-vjeçari nga fshati Manëz, me iniciale F.M.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e zënies së hapësirave publike dhe ndërtimeve të paligjshme.
Vihet në pranga administratori i një kompleksi dhe 4 shtetas të tjerë.
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Manzë, në vijim të punës për kontrollin e territorit, për zënien e hapësirave publike dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme, kanë evidentuar një rast flagrant tek “Kepi i Rodonit”.
Është arrestuar në flagrancë shtetasi S. A., 43 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, administrator i një kompleksi në “Kepin e Rodonit”, Durrës, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”, pasi është konstatuar duke ndërtuar dhe zaptuar hapësirën publike në pjesën e rërës buzë detit, pa lejen e organeve kompetente.
—
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë edhe i shtetasve:
E. L., 21 vjeç; Xh. B., 27 vjeç, banues më Ishëm, Durrës; F. D., 43 vjeç, banues në Lushnjë dhe F. M., 23 vjeç, banues në Manzë, për vepren penale “Dhënie ndihmë për ndërtim të paligjshëm”, pasi ishin duke kryer punime të ndryshme në ambientet e këtij kompleksi.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.