Ndërtuan pa leje në Himarë dhe Borsh, 3 të arrestuar, 2 nën hetim dhe 2 në kërkim

3 persona janë arrestuar, 2 janë vënë nën hetim ndërsa 2 të tjerë janë në kërkim pasi ndërtuan pa leje në Himarë dhe në Borsh.

Njoftimi i policisë:

Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, procedohen penalisht 2 shtetas dhe shpallen në kërkim policor 2 shtetas të tjerë, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe ato të Komisariatit të Policisë Himarë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar ndërtimin pa leje të katër objekteve, të dy strukturave prej druri dhe të një muri mbajtës.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, i shtetasve F. B., 47 vjeç banues në Konispol dhe T. P., 44 vjeç, banues në Lushnjë (punëtorë), si dhe u procedua penalisht pronarja e objektit, shtetasja V. H., 37 vjeçe, banuese në Sarandë.

Këta shtetas u konstatuan nga shërbimet, në Ksamil, duke kryer punime në një objekt (proceduar më parë), pa leje nga autoritetet kompetente.

-Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, i shtetasit K. Xh., 54 vjeç, banues në Dhërmi, pasi u konstatua nga shërbimet, duke ndërtuar pa leje nga autoritetet kompentete.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u bë shpallja në kërkim policor për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, e shtetasve: D. H., 29 vjeç, pasi ka ndërtuar tri objekte pa leje nga autoritetet kompetente, në lagjen “Shkallë”, Borsh dhe E. H., 32 vjeç, pasi ka ndërtuar një objekt pa leje nga autoritetet kompetente, në lagjen “Shkallë”, Borsh.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë proceduan penalisht shtetasin Dh. L., 61 vjeç, pasi ka ndërtuar një mur mbajtës, në fshatin Dhërmi, pa leje nga autoritetet kompetente. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP