Ndihmat për të prekurit, AKU vijon kontrollet për sigurinë ushqimore
Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Tiranë ka ngritur grupe të posaçme të kontrollit me qëllim monitorimin e situatës në të gjitha vendet ku i’u shërbehet banorëve duke u bërë garant i sigurisë së shëndetit të tyre. Grupet e kontrollit të AKU-së kanë monitoruar magazinat e Komandës Mbështetëse të Logjistikës dhe ajo e Rezervave të Shtetit nr.8 në Lundër, shkollën 9-vjeҫare Lundër, njësinë e Emergjencave Civile të bashkisë Tiranë dhe hotel Kontinental.
Gjithashtu ata kanë monitoruar shkollën 9-vjeҫare Marqinet, Qendrën Kulturore të bashkisë Vorë, Qendrën Kulturore Kamëz, stadiumin e Kamzës dhe kompleksin Diamma. Është bërë gjithashtu kontrolli i hoteleve në Golem ku janë strehuar shumica e të dëmtuarëve nga tërmeti i 26 nëntorit. Grupet e kontrollit kanë monitoruar “FAFA” resort, resortin “Bonita”, “Kolaveri”, “ALER Group” dhe “Prestige Hotel and Resort”.
Nga kontrollet e kryera rezultoi se në disa raste trupa inspektuese ka konstatuar produkte me afat të kaluar përdorimi, produkte të cilat ruheshin në kushte të papërshtatshme, të cilat janë diferencuar dhe asgjesuar në bashkëpunim edhe me personat përgjegjës të këtyre ambienteve. Në pjesën më të madhe të rasteve është konstatuar se ambientet dispononin kushte të përshtatshme të ruajtjes dhe përgatitjes së ushqimeve, kushte të përshtatshem higjeno-sanitare dhe produktet ishin brenda afatit të përdorimit, si rrjedhojë janë të sigurta për konsum.