Rënia e euros shkatërron eksportet shqiptare dhe biznesin në përgjithësi

Kryetari i shoqatës së eksportuesve të Shqipërisë, Edvin Prençi, tregon se këtë vit rënia e nivelit të monedhës euro me rreth 16 përqind kundrejt lekut shqiptar, ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në rënien e eksporteve.

Ai shton se, që nga viti 2016 deri sot, euroja është zhvlerësuar në masën 35 përqind dhe kjo reflekton tek bizneset, që kontratat i kanë në monedhën europiane. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, dhjetëmujori i këtij viti shënoi një rënie të eksporteve në masën minus 8.6 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënien më të madhe e kanë grupmallrat tekstil dhe këpucë, prodhime druri dhe letre si dhe prodhime kimike e plastike.

“Besoj që kursi i këmbimit të euros është një problematikë ekonomike e të gjithë eksportuesve shqiptarë. Një luhatje kaq e frikshme dhe kaq drastike patjetër që ka sjellur ngërç dhe ka humbur konkurueshmërinë e të gjithë bizneseve eksportuese. Kemi një luhatje rreth 16-20 % të kursit të këmbimit dhe kjo çon në limitin e mbijetesës së shumë bizneseve. Por, nga ana tjetër ka ndikuar në rënien e porosive të ardhura nga vendet e tjera duke humbur konkurueshmërinë”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Vetëm sektori fason, që punon me material porositës nga jashtë, ka rreth 75 mijë të punësuar dhe zë rreth 40 përqind të eksporteve shqiptare. Administratorja e kompanisë së prodhimit të këpucëve “FG WALK”, Anila Golemi, thotë se për shkak të zhvlerësimit të madh të euros kompanitë shqiptare, që punojnë me material porositësi, po bëhen gjithnjë e më pak të konkurueshëm në tregjet e huaja.

Swiss Digital Mobile Reklama

 

“Ne nuk mund të ruajmë një stabilitet financiar dhe operacione të vazhdueshme, nuk mund të shpërblejmë ose të rrisim pagesat e punonjësve dhe bëhemi më pak konkurues. Kjo lokalisht por patjetër edhe në tregun ndërkombëtar. Në sektorin e prodhimit të këpucëve kemi vënë re se shumë kompani, që kanë punu prej dekadash në Shqipëri, po spostohen drejt tregjeve më kompetitive”.

Nëse rënia e eksporteve do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, thotë zoti Prençi, kjo do të shoqërohet me efekte sociale si shkurtimi i vendeve të punës dhe mbyllja e bizneseve më pak konkurues.

“Përtej impaktit ekonomik, ajo më e frikshmja është se ne po shkojmë drejt impaktit social me njerëz që do të dalin nga sistemi i punës, gjë që është e vështirë për t’i integruar më pas në sektorë të tjerë”.

Përfaqësues të biznesit fason kanë mendime të ndryshme përsa i përket daljes nga situata e vështirë ku kanë rënë muajt e fundit. Kontratat e tyre me kompanitë e huaja janë në euro, ndërsa pagat e punëtorëve dhe shpenzimet e brendshme në monedhën vendase.

Pas më shumë se 30 vitesh nga krijimi i tyre, bizneset që punojnë me material porositësi për kompanitë më të njohura europiane tashmë po rrezikojnë të mbyllin ciklin e tyre, çka po i shtyn të kërkojnë rrugë të tjera për t’u berë konkurues në tregjet e huaja./VOA/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?